Lazio po përjeton një sezon të mrekullueshëm. Aktualisht, lacialët renditen në vendin e dytë me një pikë më pak se Juventusi kryesues. Por, meritën më të madhe e ka kapiteni i bardhekaltërve, Ciro Immobile, me 26 golat e tij të shënuar në këtë kampionat. Sulmuesi ka vendosur të bëjë një bashkëbisedim me fansat në Instagram, ku ka zbuluar disa gjëra pikante.
“Të gjithë në skuadër i kam shokë, atmosfera është shumë e mirë. Të luash për Lazion në “Olimpico” është një ndjesi e mrekullueshme. Kaloj shumë mirë me Milinkovic, si dhe Strakosha, është një lojtar i fortë gjithashtu. Lucas Leiva është kampion brenda dhe jashtë fushe”, janë disa nga përgjigjet e Immobiles.
“Luis Alberto më njeh më mirë se gruaja ime. Correan dhe Caicedon i kam shumë shokë dhe janë lojtarë të shkëlqyer. Nuk dal më xhiro në qytet me Lazzarin, e “pushova” atë pasi ai nuk i njeh shumë mirë rrugët e qytetit”, janë përgjigjet e tjera të sulmuesit në Instagram.