Alimehmeti: Studimi kombëtar i popullatës çeke, doza e tretë rrit efektivitetin në 97%
Nëpërmjet një statusi në Facebook, epidemiologu Ilir Alimehmeti tregon se të dhënat e publikuara më 12 Dhjetor të këtij viti në Çeki, konfirmuan efektivitetin e mbrojtjes nga infeksioni i kaluar i Covid dhe nga skema e vaksinimit.
Në këtë studim është hulumtuar e gjithë popullata çeke e vaksinuar apo që e ka kaluar infeksionin dhe nuk është vaksinuar. Efektiviteti i vaksinave kundër infektimit ulet ndjeshëm pas 6 muajsh. Për Pfizer pas 8 muajsh nga doza e dytë efikasiteti është 53%, ndërsa për AstraZeneca mbrojtja ulet në 55% që pas 6 muajsh nga doza e dytë. Studimi tregon se aplikimi i dozës së tretë rrit efikasitetin e tyre në 92%. Imuniteti natyral pas 1 viti është në nivelin 83%, kurse pas 18 muajsh sipas të dhënave nga autoritetet çeke rezulton se është 72%.
Efektiviteti i vaksinave kundër shtrimit në spital dhe vdekjes, për Pfizer ulen në 83% pas 8 muajsh, por pas aplikimit të dozës së tretë arrin nivelin 97%. AstraZeneca pas 6 muajsh ka efikasitet 82%, por pas aplikimit të dozës së tretë Pfizer, arrin një mbrojtje prej 97%. Ndërsa imuniteti natyral ka efikasitet 100% ndaj vdekjes dhe shtrimeve në spital, pasi nga 0.65% e personave që janë infektuar për herë të dytë asnjë nuk ka ndërruar jetë apo të jetë shtruar në spital.
Duke pasqyruar të dhënat e këtij studimit, epidemiologu Alimehmeti shkruan se imuniteti natyror është jo vetëm superior ndaj vaksinave për sa i përket infektimit të thjeshtë por është qartësisht superior edhe ndaj shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Sipas tij, një gjetje shumë e rëndësishme që del nga ky studim në nivel kombëtar, është se ka një rritje të lartë të efektivitetit pas dhënies së dozës së tretë të vaksinës.