Politika PE: Krimi i organizuar pengesë për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

PE: Krimi i organizuar pengesë për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

Parlamenti Evropian përmes një raporti mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, u kërkoi qeverive në rajon që të rrisin përpjekjet e tyre për të ecur përpara me reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Eurodeputetët theksuan se lufta kundër krimit të organizuar dhe avancimi drejt integrimit në BE janë procese reciproke përforcuese dhe bëjnë thirrje për një proces të përshpejtuar integrimi.

Raporti, i miratuar të mërkurën në mbrëmje me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenime, thotë se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor tranziti për emigrantët dhe refugjatët dhe si një vend por edhe për pastrim parash dhe trafik armësh”.

Eurodeputetët i kërkojnë BE-së që të mbështesë përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik. Gjithashtu kërkuan që të hapen arkivat e Ish-Jugosllavisë.

“Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës e biznesit ekzistonin edhe para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe kanë vazhduar që prej përfundimit të konflikteve në vitet ’90. Deputetët e Parlamentit Europian dënuan mungesën e qartë të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse në rajon që të hapin arkivat e ish-Jugosllavisë dhe dosjet t’u kthehen qeverive nëse ato i duan”, thekson raporti.

Ai thekson nevoja që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të këmbejnë informatat e inteligjencës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, në përpjekje për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Krimi i organizuar dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e tyre publike. BE-ja nuk duhet të përdorë krimin e organizuar si justifikim për të vonuar procesin e zgjerimit, por duhet të qëndrojë në krah të njerëzve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, thotë ndër tjerash raporti.