Dy vite punime dhe 50 milionë euro u deshën për transformimin e bazës ajrore të Kuçovës në një bazë taktike të NATO-s, e cila do të inaugurohet të hënën.
Në ceremoninë që Ministria e Mbrojtjes do të organizojë janë të ftuar dhe do marrin fjalën dy përfaqësues të lartë të Aleancës, Stacy Cummings Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen dhe Prokurimin dhe Gjeneral Lejtnan Pablo Sánchez de Lara që është komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacionit Ajror të NATO-s në Bazën Ajrore të Spanjës.
Ndërkohë, do të jenë të pranishëm dhe do të marrin fjalën, veç Presidentit të Republikës, kryeministrit Rama e ministrit të Mbrojtjes dhe dy ministrat e Mbrojtjes së Italisë e Turqisë. Pas fjalimeve, është parashikuar dhe një spektakël ajror ku do të fluturojnë dy F35, dy F16 dhe 2 Eurofighter për të demonstruar kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë.
Në bazën e Kuçovës janë vendosur edhe 3 dronët luftarakë “Bajraktar” që do të përdoren nga Forcat Shqiptare të Armatosura për misione ushtarake, por do të kenë mundësi të përfshihen dhe në operacione policore dhe civile.
Baza e Kuçovës është ndërtuar në vitin 1955, si baza e parë ajrore shqiptare dhe në 20 vitet e fundit ka shërbyer kryesisht për stërvitjen e pilotëve të Forcave të Armatosura.
Kthimi në një bazë taktike të NATO-s do t’i japë mjeteve ajrore të aleancës të dislokohen në Kuçovë gjatë operacioneve strategjike në Ballkanin Perëndimor.