Sali Berisha është shprehur se do të bëjë gjithçka që populli shqiptar të ngrihet në protesta.
Gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat, kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se inceneratorët janë absolutisht një problem kryesor.
“Duhet të theksoj se është në nderin e kësaj opozite që protestoi kundër Ballkanit të Hapur, një projekti ruso-serb, antishqiptar në radhë të parë. Një projekti që mbolli përçarje në rajon, përçarje të madhe. Atë, siç e dini ju, e kundërshtuam jo vetëm me deklarata, por edhe me protesta. Fakti që javën e kaluar ishte funerali i tij, edhe opozita ka një pjesë të kësaj merite. Lidhur me inceneratorët, janë absolutisht një problem kryesor, për të cilin do bëjmë gjithçka për të ngritur protesta të fuqishme. Nuk është hequr dorë, jo. Edi Rama nuk erdhi dje në debat, nuk erdhi dje në parlament. Ajo ishte një fyerje për çdo shqiptar, kështu që unë jo që nuk i përjashtoj, por do bëj gjithçka që ky popull të ngrihet në protesta”, tha Berisha.
Berisha, në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, deklaroi se “Edi Rama është kokë e këmbë dhe me firmën e tij i zhytur në aferën e djegësave”, dhe shtoi se “nuk mund të shpëtojë duke bërë kurban Peleshin”.
“Unë kam një vendim të datës 2 nëntor të vitit 2014. Edi Rama me firmën e tij rishikon buxhetin afatmesëm dhe fut në këtë rishikim djegësin e Elbasanit, kontrata për të cilin do firmosej vetëm një muaj më vonë. Kjo shkresë është e datës 2 nëntor, në një kohë kur kontrata është firmosur ditën fatale, siç e kanë quajtur mediat, të qeverisë për djegësat, 16 ose 17 dhjetorin. Së dyti, Edi Rama është personi që ka firmosur lejen e ndërtimit të djegësit të Elbasanit. Kryetari i komitetit ndërministror të emergjencës civile, e ka quajtur veten Edi Rama dhe keni këtu të firmosur planimetrinë dhe lejen e ndërtimit. Së treti, Edi Rama, tani të lexojmë pak shkresën, sepse këtu Peleshi ka firmosur në një shkresë ku thotë në mungesë dhe me porosi. Për kryeministrin e vendit nuk mund të firmosë kurrë kush pa autorizimin e tij. Mund të jenë pesë zëvendëskryeministra, asnjëri nuk mund të firmosë nëse nuk autorizohet nga kryeministri. Autorizimi i kryeministrit për firmën mbi dokument është përgjegjësi e plotë e kryeministrit”, tha Berisha.
“Autorizimi që i bën kryeministri, e bën atë përgjegjës njëlloj, sikur ka firmosur vetë sepse Këshilli i Ministrave me Kushtetutë drejtohet nga kryeministri dhe jo nga zëvendësi. Në çdo rast, kur një firmë vihet në mungesë dhe me porosi, përgjegjësia e parë është e atij që ka porositur. Se si mendon Rama të shpëtojë, duke bërë kurban Peleshin, kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka drejtësi në botë që mund ta bëjë këtë. Peleshi është përgjegjës vetë se ka firmosur një akt të kundërligjshëm dhe çdo njeri që vepron në kundërshtim me ligjin, është përgjegjës për veprimin e tij përpara ligjit, ndaj kjo jo nuk e lehtëson Ramën, por përkundrazi bën përgjegjës Ramën dhe zëvendësin e tij, i cili mesa duket do të shkojë bashkë me të”, shtoi Berisha.