Politika “Rama i pret fletën e arrestit”, Basha-Berishës: Të votojmë vettingun dhe të...

“Rama i pret fletën e arrestit”, Basha-Berishës: Të votojmë vettingun dhe të shohim se kush është i korruptuar

Lulzim Basha iu është përgjigjur deklaratave që Sali Berisha bëri sot në drejtim të tij.

Ish-kreu i Partisë Demokratike i bëri thirrje Berishës që të votojnë vettingun për politikanët e të shihet se kush është i korruptuar dhe i lidhur me krimin.

Sipas Bashës, ai që po mban peng PD-në “për interesat e veta” është Berisha.

“Koha është ilaçi më i mirë. Dhe koha e rrëzoi malin e gënjeshtrave që ngriti para shqiptarëve ai që kërkon me çdo kusht e mjet të mbajë peng PD për interesat e veta personale.

Që ti japim fund baltosjes, që të tregojmë kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, le të votojmë vetingun për politikanët. Të nisë transparenca nga unë e më pas të gjithë këta që sot e 32 vite mbajnë peng Shqipërinë”, shkruan Basha në Twitter

Më herët gjatë ditës, kreu i grupit të “Rithemelimit” deklaroi se me Lulzim Bashën nuk do të bashkëpunojë asnjëherë pasi, siç u shpreh Berisha, ai mbetet peng i kryeministrit Rama.

“…me pengun e Edi Ramës, vetëm kur të pranojë Edi Ramën në koalicion, apo në bashkëpunim, mund të pranojë pengun e tij.

Lul Basha është në një mision si peng i vërtetë, si një njeri që Edi Rama kur të dojë i pret fletën e arrestit me afat burgimi minimumi 6-vjeçar.

Nuk mund të ketë. Ai e ka zhveshur veten për shkak të frikës që ka nga burgu dhe është shndërruar në një vegël të verbër të Edi Ramës”, tha Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët