Gjykata e Posaçme pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, në procesin e inceneratorit të Fierit. Veç tyre gjykata pranoi gjykim të shkurtuar edhe për 17 të pandehur të tjerë, mes të cilëve edhe Klodian Zoto.
Për të pandehurit Etleva Kondi, Arenc Myrtezani dhe Giussepe Chiafaglione procesi u veçua, pasi do të vijojë me procedurën e gjykimit të zakonshëm.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, në seancën e radhës ndaj të akuzuarve për inceneratorin e Fierit, gjykata rrëzoi kërkesën e të pandehurve Arben Dervishaj dhe Regan Merdani për moskompetencë.
Kujtojmë se, pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj 19 të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Fierit, mes të cilëve, ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako.
Kalimi i dosjes në gjyq u parapri nga një rikualifikim i akuzave për disa nga të pandehurit, duke iu lehtësuar pozitën penale, pasi për akuzat e reja, Kodi Penal parashikon marzhe më të buta dënimi.
Për ish-deputetin Alqi Bllako, gjykata urdhëroi SPAK-un të ndryshonte akuzën për “korrupsion të funksionarëve të lartë shtetërorë” ndaj tij në “korrupsion të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas gjykatës, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Bllako nuk konsiderohej funksionar i lartë, por funksionar publik.
Në të njëjtin arsyetim ndryshoi akuza për korrupsion edhe për biznesmenin e inceneratorëve, Klodian Zoto, italianin e pandehur Giuseppe Ciaffaglione dhe për Arjola Kodrën.
Akuzat u zbutën edhe për ish-zv/presidentin e FSHF, ArbenDervishaj, ish-mbikëqyrës i punimeve të shoqërisë konçensionare.
Gjykata rrëzoi akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit ndaj funksionarëve publikë” dhe vlerësoi se Dervishaj duhet të gjykohet për “falsifikim të dokumenteve” dhe “korrupsion pasiv në sektorin privat”.
Gjykata pushoi çështjen për dy prej të akuzuarve, për Enver Sheshin, i cili ndërroi jetë gjatë hetimit, si edhe për Robert Shabanin, që ishte dënuar me herët nga një gjykatë për të njëjtin fakt penal.
Sipas SPAK, për të favorizuar në mënyrë të jashtëligjshme shoqërinë koncesionare të Fierit, ish-ministri i mjedisit, Koka ka përfituar 146 milionë lekë ryshfet, ndërsa Alqi Bllako 14 milionë.
Po ashtu, rezulton se shoqëria e Klodian Zotos ka përfituar 4 milionë euro për shërbime që nuk janë kryer, por janë paraqitur situata të falsifikuara, duke i kryer vetëm në letra punimet.