Sikurse në seancën e kaluar, edhe këtë herë deputetët socialistë u larguan nga salla gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.
Debatet në lidhje me miratimin e rregullores u bënë sërish shkak i largimit të mazhorancës.
Deputetët demokratë vijuan mbledhjen, ndërsa kolegët e tyre socialistë u rikthyen në sallë vetëm për disa minuta, për t’u larguar përfundimisht menjëherë më pas.
Pas largimit të socialistëve, kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj, debatoi me ish-kryetaren e KQZ, Lefterie Luzi, e cila është aktualisht drejtoreshë e shërbimit në Kuvend.
Ajo kërkoi mbylljen e mbledhjes për shkak të mungesës së kuorumit dhe ndërprerjen e sinjalit, por kjo kërkesë u refuzua nga Alibeaj, i cili urdhëroi punonjësit e Gardës që të nxirrnin jashtë zonjën Luzi.