Incidenti i Bularatit ka ftohur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo ndihet qartë në frymën diplomatike të të dyja vendeve, që për më tepër nuk po japin asnjë shenjë për kapërcimin e kësaj situate.
Ishte pikërisht vrasja e Kostandinos Kaçifasit më 28 Tetor që pengoi finalizimin e negociatave për arritjen e marrëveshjes së shumëpritur Shqipëri–Greqi, siç u shprehën për televizionin Klan burime të larta diplomatike në Athinë.
Në këto kushte, analistët janë të mendimit se negociatat duhet të nisin nga e para.
“Unë besoj se u humb momenti në marrëdhëniet greko-shqiptare. Ndërsa kishim rënë dakord edhe për zonat ekskluzive ekonomike, edhe për ligjin e luftës, domethënë ishte mbyllur tërësia e problemeve kryesore, aty dikush shtypi butonin “pauzë”. Dhe atë vrull që kishin, atë predispozicion pozitiv që u ndërpre, unë e konsideroj shumë të rëndësishëm. Duhet të rigjejnë ritmin e të startojnë sërish”, shprehet analisti Nikolas Zirganos.
Në këto kushte, askush nuk është në gjendje të thotë kur mund të nisin sërish përpjekjet për zhbllokimin e ngërçit midis Athinës dhe Tiranës.
Siç theksuan burimet diplomatike në Athinë, i vetmi kontakt qeveritar pas 28 Tetorit ishte një takim i ministrit alternativ të Punëve të Jashtme Jorgos Katrougalos, me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, në kuadër të ministeralit të NATO-s, raporton Klan.