Një incident i pazakontë i ka ndodhur këngëtarit spanjol Julio Iglesias. Këngëtari është ndaluar në aeroportin e Punta Cana, në Santo Domingo, teksa kthehej nga Bahamas, me çdo lloj ushqimi në valixhe, shkruajnë mediat e huaja.
Valixhja e tej mbushur me 42 kile ushqime ku nuk mungonin rukola, luleshtrydhet, kërpudhat, domatet, spinaq e fasule ishte arsyeja e mbajtjes së Iglesias për një kohë të gjatë në aeroport, derisa e kontrolluan në detaje.
Në fakt, ky qenka një zakon i artistit, i cili ka transportuar nga Madridi verë e proshutë, për të udhëtuar jashtë Spanjës. Qëllimi është që ai të mund të shijojë prodhimet e vendit të tij edhe kur niset për një udhëtim të gjatë.
Një rrjet domenikan shpjegon se lajmi i sekuestrimit të ushqimit u konfirmua nga ministri i Bujqësisë, Limber Cruz. Politikani arsyetoi edhe masën: vendi në fakt kërcënohet nga hyrja e të ashtuquajturës “miza e Mesdheut” dhe parazitëve të tjerë. Për këtë arsye, shtoi ministri, ajo lloj mbikëqyrjeje është vendosur në aeroport nga qeveria.