Zona e “5 maji”-t e trumbetuar vazhdimisht nga qeveria si një nga zonat kryesore të procesit të rindërtimit dhe që do të kthehej në një qendër të re të kryeqytetit, po lë pa shtëpi banorët e zonës.
Sot rreth 11.00 të paradites kanë ndodhur edhe një përplasje mes banorëve dhe punonjësve të bashkisë. Banorët kanë bllokuar punën, pasi zyrtarët e bashkisë po iu tentojnë t’iu shembin shtëpitë, pa i shpronësuar, dhe aq më keq, pa i lajmëruar. Banorët shprehen se protesta e sotme ishte vetëm fillimi, dhe nëse qeveria dhe bashkia nuk do të këshillohet me ta, atëherë protesta do të përshkallëzohet. Sipas tyre, negociatat mes tyre dhe qeverisë duhet të bëhen pas zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tyre, nëse ndërrohet pushteti dhe qeveria e re ndërpret punimet në këtë zonë, atëherë ata do të mbeten me shtëpi të shembura dhe në mes të katër rrugëve.
Më herët, opozita pati akuzuar qeverinë se po nxjerr jashtë banorët për të përfituar për vete. “Në zonën “5 Maji” do të ndërtohen 12 godina me vlerë 52 milionë euro; godina të cilat duhet t’u përkisnin banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Por nuk do të ndodhë aspak kështu, sepse fondet e rindërtimit, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për një qëllim tinëzar, i cili ushqen me luks pushtetarë dhe qeveritarë të paskrupuj.
Në këtë zonë, që duhet t’u përkiste qytetarëve, qeveria po nxjerr jashtë banorët për t’i dhënë vetes luksin që me paratë që duhet të shkojnë në ndihmë të ndërtimit të banesave të qytetarëve të përfitojë ajo për luksin personal”, pati deklaruar ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Sipas saj shumë shpejt e vërteta do të dalë në shesh dhe fajtorët do të dalin para ligjit.