Kërkesa e bizneseve për kredi për investime gjatë tremujorit të tretë dhe muajve tetor-nëntor ka qenë apatike. Bizneset kanë investuar vetëm kursimet e tyre.
Banka e Shqipërisë në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e IV të 2018-ës evidenton se “Kredia për likuiditete vijon të mbetet e dobët, e ndikuar edhe nga gjendja e mirë e likuiditetit të bizneseve, sikurse vihet re nga rritja e depozitave të bizneseve gjatë vitit 2018.”
Kredia për individë ka pasur rritje të qëndrueshme dhe ka dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e portofolit të kredisë.
Kredia për individë ka dhënë kontributin më të lartë në zgjerimin e kredisë për sektorin privat në terma vjetorë. BSH e sqaron këtë dukuri me kushtet e lehtësuara të kreditimit në këtë segment, që mbështetet edhe nga rritja e vazhdueshme e kërkesës. Kërkesa për kredi në kategorinë individë është rritur, si kredi për konsum, ashtu edhe për blerje banese.
Sipas raportit, në muajt tetor-nëntor, kredia për individë ka shfaqur normë të ngjashme rritjeje vjetore me tremujorin e tretë, në rreth 7.8%. Pavarësisht se kjo normë është më e ulët se në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Portofoli i kredisë konsumatore dhe i kredisë për blerje banese shënuan normë të njëjtë rritjeje, mesatarisht me rreth 7.8% për muajt tetor-nëntor. Kredia për blerje banese ka përmirësuar ritmet e rritjes, ndërsa ajo konsumatore i ka ngadalësuar.
Raporti vëren se kërkesa për kredi e bizneseve në tremujorin e tretë raportohet më e ulët se një tremujor më parë, ndërkohë që edhe kushtet e marrjes së një kredie të tillë kanë qenë shtrënguese.
Megjithatë, portofoli i kredisë ka dominancë të kredisë për biznese, e cila përbën 66% të totalit. Në fund të muajit shtator, kredia për sektorin privat si raport ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto është vlerësuar rreth 35.3%, e njëjtë me fundin e tremujorit të kaluar.
Rritja më e qëndrueshme e portofolit të kredive është ajo në monedhën kombëtare lekë. Kurse kredia në valutë të huaj ka ngadalësuar ritmet e rritjest. Vihet re kërkesë më e luhatshme për kredi në valutë nga ana e bizneseve.
Kredia për biznese ka shfaqur ngadalësim të normës së rritjes në 3.2%, duke reflektuar ngadalësimin e ritmeve të rritjes së kredisë për investime në 5.6%, përkundrejt 6.4% në tremujorin e tretë.