Aktualitet Infektohen me koronavirus dy pjesëtarë të personelit shëndetësor

Infektohen me koronavirus dy pjesëtarë të personelit shëndetësor

Numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri ka shkuar në 42. Lajmin e konfirmoi zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli e cila në një konferencë për shtyp tha se në 24 orët e fundit janë testuar gjithsej 24 persona të dyshuar.

Mes të testuarve kishte edhe personel shëndetësor. Fatkeqësisht, dy prej tyre të cilët kanë qenë në kontakt me të sëmurin e infektuar me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë rezultuar pozitivë.

Zv/ministrja njoftoi se gjendja e tyre është e mirë, pasi janë pa simptoma. Ata janë vetëizoluar, por Rakacolli i lëshoi një thirrje të gjithë qytetarëve që t’i tregojnë mjekëve nëse kanë udhëtuar jashtë vendit, nëse kanë familjarë që kanë udhëtuar jashtë ose nëse kanë pasur kontakte me persona të infektuar.

Zv/ministrja kërkoi bashkëpunim pasi duhet mbrojtur personeli shëndetësor.

“Sot është detyrim që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën, atë që secili prej nesh duhet të bëjë: Shmangni vajtjet direkte në spitale.

Telefononi 127 dhe ndiqni këshillat që merrni nga personeli shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit janë pritur 7247 thirrje, prej tyre 4468 me kodin ‘korona’.

Dua t’ju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem qëndroni në shtëpi”, tha Rakacolli.