Bota Infermierja që qëndroi pranë kryeministrit Johnson: Ishte një pacient si gjithë të...

Infermierja që qëndroi pranë kryeministrit Johnson: Ishte një pacient si gjithë të tjerët

“Boris Johnson ishte thjesht një pacient tjetër për të cilin ne u përpoqëm të bënim më të mirën tonë të mundshme”, kështu u shpreh infermierja nga Zelanda e Re, e cila është cilësuar si personi që e ndihmoi kryeministrin britanik në momentet e vështira që kaloi në spital.

Jenny McGee u lavdërua nga kryeministri pasi qëndroi pranë shtratit të tij, “atëherë kur gjërat mund të kishin marrë një rrugë tjetër”, teksa ai po trajtohej nga koronavirusi në pavionin e kujdesit intensiv.

Ajo nuk priste që ai ta përmendte atë gjatë deklaratave të tij, ndaj mbeti e befasuar.

Jenny ritheksoi se kryeministrit Johnson nuk iu nënshtrua asnjë trajtimi të veçantë dhe shtrimi i tij në përkujdesjen intensive ishte absolutisht i nevojshëm.

Në një intervistë për televizionin neo-zelandez, zonja McGee u shpreh: “Ne i marrim shumë seriozisht pacientët të cilët shtrohen në kujdesin intensiv, pasi ata vijnë tek ne dhe kjo është diçka shumë e frikshme, ndaj nuk duhen marrë lehtë”.

Ajo pohoi se nuk ishte e shqetësuar nga fakti që po kujdesej për kryeministrin, për të ishte vetëm një ditë më shumë në punë.

“Për ne si repart, ai ishte një pacient më shumë, për të cilin ne po përpiqeshim të bënim më të mirën tonë të mundshme”, shtoi infermierja.