Kryesore Infermierja shqiptare në Itali rrëfen ditët e saj me të prekurit nga...

Infermierja shqiptare në Itali rrëfen ditët e saj me të prekurit nga koronavirusi

Kristina “lufton” çdo ditë me armikun e padukshëm në Itali. E reja me origjinë shqiptare punon si infermiere në urgjencën e Pisa-s. Në këtë situatë të vështirë, ajo është në gatishmëri së bashku me ekipin e saj për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga koronavirusi.

Kristina tregon për TvT se rastet që shoqërojnë për në spital janë të shumtë dhe në sytë e tyre lexohet frika për veten dhe familjarët e rrezikuar. Ajo tregon se në zonën ku ajo punon në Pisa, nuk ka shqiptarë të infektuar.

Ju jeni e re në moshë dhe po përballeni në punën tuaj me një pandemi si koronavirusi. Sa e vështirë është për ju?

Vështirësia është vërtetë e madhe, duhet shumë përqendrim dhe kujdes për çdo situatë, sepse përndryshe rreziku për t’u infektuar është shumë i lartë. Është vështirë të qëndrosh afër personave të infektuar, edhe ata vetë nuk duan njeri afër. Në sytë e të gjithëve kam vënë re ndjenjën e fajit, sepse kanë vënë në rrezik personat që i rrethojnë. Por ne sigurisht e harrojmë virusin në ato momente dhe bëjmë gjithçka për t’i ndihmuar.

Sa të frikësuar janë të prekurit, ka ndonjë fjalë që të ka mbetur në mendje?

Personat e prekur kanë shumë frikë, kanë frikë se ja kanë ngjitur dhe familjarëve të tyre. në të shumtën e rasteve janë të moshuar dhe siç e dimë personat e moshuar e kanë më të vështirë përballjen me këtë virus. Situata e tyre është më kritike, ndaj ata ndihen më të frikësuar. sigurisht frika e madhe është se si do dalin nga përballja me këtë virus ose më keq akoma nëse do arrijnë ta mposhtin. Një nga pacientet që kam shoqëruar më ka thënë një fjalë që më ka mbetur në mendje: “Ju jeni engjëj dhe nuk na lini vetëm as në një situatë të tillë me rrezik të madh. për ju një faleminderit nuk do të jetë mjaftueshëm”.

Simptoma më e përgjithshme që kanë pasur të prekurit, cila është: temperatura, kolla apo?

Disa nga simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë, dhimbje koke e vazhdueshme, dobësi, dhimbje muskulare dhe ethe që shoqërohen me dridhje trupi.

Ke frikë për veten tënde?

Sigurisht që duhet ta pranoj se kam frikë, por frika ime nuk është më e madhe se dëshira për të ndihmuar ata që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmën tonë. Më shumë se për veten time, kam frikë për familjen time.

Cilat janë moshat që janë prekur më shumë në zonën ku ti punon?

Mosha më e prekur nga koronavirusi në zonën ku unë punoj, janë ato të moshës 70 vjeç dhe më shumë, por nuk mungojnë edhe raste të moshave nga 19 deri në 50 vjeç. Në zonën ku unë jam nuk më ka rastisur të përballem me shqiptarë.

A janë të frikësuar familjarët e tu?

Familja im ka frikë për mua, por edhe për veten. Përmasat që ka marrë kjo pandemi janë vërtetë tragjike në Itali. Është e pamundur të mos kesh frikë.

Shkon në shtëpi këto ditë dhe nëse po si i merr masat për dezinfektim?

Kur mbaroj turnin pasi heq veshjen mbrojtëse dhe dezifektohem nga koka te këmbët, shkoj në shtëpi ku gjithashtu tregoj kujdes maksimal me higjienën. Këtu i kemi shumë të mira kushtet për t’u mbrojtur me veshje dhe maskat e duhura./TvT.al /