Politika Policia Kufitare: Nuk janë mbyllur pikat e kalimit me Kosovën

Policia Kufitare: Nuk janë mbyllur pikat e kalimit me Kosovën

Policia Kufitare shqiptare deklaron se nuk janë mbyllur pikat kufitare me Kosovën dhe as fqinjët tanë të tjerë tokësorë.

Pas publikimit të disa lajmeve bazuar në deklaratën e autoriteteve të Kosovës, ka reaguar Policia Kufitare e Shqipërisë që thekson se vijon përpunimi i dokumentacionit të qytetarëve dhe automjeteve, duke respektuar dhe zbatuar masat e marra për mbrojtjen nga COVID-2019, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij.

“Të gjitha pikat e kalimit me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, janë funksionale dhe vijon përpunimi i dokumentacionit të qytetarëve dhe automjeteve, duke respektuar dhe zbatuar masat e marra për mbrojtjen nga COVID-2019, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, Pika e Kalimit Kufitar në Qafë Botë, Sarandë, është funksionale. Për momentin, pika nga pala greke është e mbyllur sepse po kryejnë dizinfektimin dhe menjëherë në përfundim të dizinfektimit, edhe nga pala greke do jetë e hapur.

Policia Kufitare tha se kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e medias. “Para se të publikojnë lajme të marrin konfirmim zyrtar, për të mos krijuar panik apo dizinformim tek qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policise Kufitare.

Policia e Shtetit këshillon që qytetarët të minimizojnë lëvizjen me mjete në qytetet ku është ndaluar qarkullimi apo në drejtim të qyteteve ku ka Pika Kufitare.

Policia Kufitare thotë se po plotëson të gjitha detyrimet për intervistimin e plotësimin e formularëve në të gjitha PKK-të, për të bërë të mundur ndjekjen në vijim të rasteve të dyshuara për shtetas shqiptarë apo të huaj që hyjnë në Shqipëri dhe mund të jenë të infektuar potencialë me COVID-19.