Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori zyrtarisht detyrën.
Në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u zhvillua ceremonia e kalimit të detyrës nga Damian Gjiknuri, tek ministrja e re, Belinda Balluku.
Në fjalën e tij, Gjiknuri tha se në këto vite kemi arritur shumë rezultate, kanë qenë shumë sfida, por që patjetër sfidat sjellin sfida të reja, rezultatet sjellin horizonte të reja që kërkojnë angazhim më të madh dhe jam i bindur që Belinda i ka të gjitha mundësitë që këto reforma t’i çojë përpara.
Ndërsa nga ana e saj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se ndihej e nderuar dhe ndjente përgjegjësi të lartë për të drejtuar një dikaster kaq të rëndësishëm si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Sigurisht, unë vij nga brenda Ministrisë, pasi kam drejtuar një sektor të rëndësishëm si navigimi ajror. Jam e kënaqur që më ka lidhur puna me ju. Vlerësoj punën që kemi bërë dhe punën e ish-ministrit Gjiknuri”, tha ajo.
Më tej Balluku shtoi se kjo ministri mban specialistët më të mirë të vendit në fushat kyçe dhe në sektorët më strategjikë dhe ata janë të mbledhur këtu. Ajo theksoi se pozicioni i ri është përgjegjësi e madhe dhe shprehu besimin se do ja dalë me mbështetjen e stafit dhe të ish-ministrit.