Do të jetë fitimi bruto më i lartë ndonjëherë në Itali. Një rekord, që e bën të lumtur Steven Zhang, por që, pa dyshim, duhet të shërbejë për ta shtyrë skuadrën e Antonio Conte drejt kualifikimit në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve (mes 16 skuadrave më të mira të kontinentit). Nesër në mbrëmje, në “San Siro” do të luhet Inter-Barcelona, ndeshja e fundit e fazës në grupe të Champions-it. Në stadium do të jenë rreth 72 mijë spektatorë. Shtëpia zikaltër nuk do të jetë e mbushur plot e përplot, për shkak të një sektori të mysafirëve, që do të mbetet gjysmë bosh.
Megjithatë, kjo nuk do ta parandalojë fitimin më të lartë nga biletat, të regjistruar ndonjëherë në historinë e futbollit italian. Më saktësisht, të ardhurat do të jenë më shumë se mbi 6.5 milionë euro, të grumbulluara në ndeshjen Inter-Juventus, të luajtur 6 tetorin e këtij viti. Pra, çfarëdo që të ndodhë, do të jetë një sukses për klubin zikaltër në aspektin financiar. Kuptohet, kalimi i turit është objektivi kryesor, edhe pse Ernesto Valverde i ka paralajmëruar zikaltrit që të mos presin asnjë dhuratë prej tyre, pavarësisht se Barcelona është kualifikuar si e para në grup, tashmë.