Inter ngec sërish në kampionat dhe këtë herë në transfertën e vështirë ndaj Atalantës, ku nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, ndonëse kaloi i pari në avantazh. Zikaltrit zhbllokuan sfidën me anë të Lautaro Martinez në minutën e 58’, pasi sulmuesi zikaltër kërceu mirë me kokë pas një krosimi të Young dhe dërgoi topin në rrjetë.
Më pas skuadra e drejtuar nga Antonio Conte shpërdoroi disa mundësi për të mbyllur ndeshjen, ku më flagrantja ishte ajo e Arturo Vidal, i cili avancoi për shumë metra i vetëm me portierin, por gjuajtja e tij u ndaj nga gardiani i Atalantës.
Nga ana tjetër bergamaskët gjetën golin e barazimit në minutën e 79’ me anë të rusit të ardhur këtë verë te Atalanta, Miranchuk, që me një gjuajtje pa shumë pretendime, gjeti cepin e portës së Handanovic.
Me këtë barazim Interi shkon në kuotën e 12 pikëve dhe përkohësisht pikë larg Milanit kryesues, ndërsa gjatë dy javëve të ndërprerjes, Contes do t’i duhet të punojë shumë me zikaltrit, për të mos shpërdoruar një tjetër sezon.
Bën detyrën Roma, që ia doli të triumfojë me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Genoas dhe të ngjitet në vendin e tretë, në kuotën e 14 pikëve. Pa Dzekon të prekur nga Codiv-19, ishte armeni Henrik Mkhitaryan ai që shënoi të tre golat për verdhekuqtë, ndërsa Genoa barazoi përkohësisht me anë të marko Pjacës.
Zhgënjen ndërkohë Torino, që nuk shkon përtej barazimit pa gola ndaj Crotones në shtëpi. Skuadra “granata” gjuajti vetëm një herë në portë gjatë gjithë 90-minutëshit dhe tashmë e ardhmja e trajnerit Marco Giampaolo është në rrezik të plotë.