Viti 2019 duket se ka nisur shumë i mbrapshtë për Interin, e këtë e vërtetoi edhe sfida për javën e 22-të të Serie A, kur në “San Siro” të Milanos priste rivalët modestë të Bolonjës, me këta të fundit që nuk fitonin prej 14 javësh.
Por, atëherë kur pritej reagimi i zikaltërve, pas eliminimit nga Championsi më herët, e nga Kupa e Italisë pak ditë më parë kur Strakosha rezultoi heroi i Lazios, Interi gjunjëzohet në shtëpinë e tij nga një gol i shënuar në minutën e 32-të nga Santander.
Paraguajani shënoi me kokë dhe i dhuron kështu fitoren e parë në debutim trajnerit serb Mihajloviç, një triumf që skuadrës së Bolognas i mungonte prej plot 14 javësh.
E siç e përshkruajnë mediet italiane, kjo e sotmja ishte një fitore e merituar për kuqeblutë, që në pjesën e dytë sfumojnë pa shumë shqetësime sulmet e njëpasnjëshme të zikaltërve.
Një ndeshje kjo për t’u harruar për Icardin, Perisiçin apo Nainggolanin, e që mund të rezultojë po ashtu vendimtare për shkarkimin e trajnerit Spalletti, i gjendur prej javësh në ujëra të turbullta.