Do të duhet një mrekulli që Interi të kalojë fazën e grupeve në Champions League, pas disfatës që zikaltërit pësuan në ndeshjen e radhës në fushën e tyre ndaj Real Madrid, ku u mundën me rezultatin 0-2.
Tashmë me 2 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje, shanset e djemve të Contes për të kaluar më tej janë minimale duke parë dhe fitoren që Munchengladbah arriti ndaj Shakhtar, për të rrëmbyer vendin e parë.
Interi hyri më superior në fushën e lojës, por kjo gjë nuk zgjati pasi arbitri akordoi një penallti për “Galaktikët” në minutën e 7, e cila u shndërrua në gol nga Hazard, i rikthyer si titullar.
Vendasit po përpiqeshin me të gjitha forcat për të arritur golin e barazimit, por pa rezultat dhe pikërisht në momentin më të mirë të tyre Vidal ndëshkohet me dy kartonë të verdhë brenda pak minutash për ta lënë ekipin me 10 lojtarë që nga minuta e 33.
Tanimë kthimi i ndeshjes është një mision i pamundur. Tentativat e vështira të zikaltërve thyen shpejt dhe hapësirat në mbrojtje janë të mëdha. Në minutën e 59 vjen dhe goli i dytë i Realit falë dhe një devijimi të topit nga Hakimi.
Në minutat në vijim djemtë e Zidane u përpoqën që të administronin rezultatin dhe ia arritën këtij qëllimi më së miri.
E nëse Interi zhgënjen, skuadra tjetër italiane, Atalanta bën surprizën në “Anfield Road”, pasi mposhti 0-2 Liverpoolin dhe u rikthye plotësisht në garë për të kaluar në fazën e 1/8-ave. Iliçiç dhe Gosens shënuan për zikaltrit në pjesën e dytë, ndërsa Berat Gjimshiti ishte sërish titullar.
Djemtë e Gasperinit tashmë ëndërrojnë për një kalim të turit pasi ndodhen me pikë të barabarta me Ajaxin e vendit të dytë.
Po në të njëjtin grup, Ajax triumfoi 3-1 ndaj danezëve të Midtjylland dhe tashmë do të luajë shanset e kualifikimit me Atalantën.
Nuk gabon as Bayern Mynich, që mposhti 3-1 austriakët e Salzburg dhe me 4 fitore në po kaq ndeshje, siguroi kualifikimin për në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Lewandowski, Wober autogol dhe Sane shënuan për kampionët në fuqi të Europës, për austriakët shënoi sërish sulmuesi me origjinë shqiptare, Mërgim Berisha.
Në të njëjtin grup, komplikon kualifikimin Atletico e Madridit, që nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj rusëve të Lokomotivës së Moskës. Ndërkohë Porto triumfoi 0-2 në transfertën franceze ndaj Marseille dhe tani është një hap larg kalimit në fazën e 1/8-ave.