Entela Resuli
Doktor Gjergji Dyrmishi ka studiuar Mjekësi të Përgjithshme në Tiranë dhe prej 5 vitesh punon në Gjermani si mjek në repartin e Mjekësisë Interne.
Aktualisht punon në një qytet që quhet Kulmbach në Landin e Bavarisë.
Si shumë specialist të tjerë ai është larguar drejt Gjermanisë së bashku me bashkëshorten e tij e cila gjithashtu është mjeke.
Sot përballet çdo ditë me të sëmurët të cilët infektohen nga CoVid-19.
Gjermania është një nga vendet që e ka marr me qetësi përballjen me këtë sëmundje. Kancelarja nuk del çdo ditë në televizor për të lajmëruar masa të reja, madje dhe kur shfaqet ka një tonë të butë dhe të qetë.
Për të kuptuar se çfarë ndodh brenda spitaleve gjermane, ne kemi ftuar një nga shumë mjekët të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë vend.
Gjergji Dyrmishi, tregon në Dita, se si është situata në vendin ku ai punon dhe se si po përballet bota dhe Shqipëria me këtë pandemi.
Doktor, si paraqitet fluksi i të sëmurëve me CoVid-19 në spitalin ku ju punoni?
Ashtu si në gjithë vendet e tjera edhe te ne janë të shumta rastet e pacientëve të infektuar me COVID-19.
Rasti i parë ose i ashtuquajturi Pacienti 0 në qytetin tonë kishte një histori pushimesh në Süd Tirol (ose Trentino në Itali) siç njihet në Shqipëri. Ky është një destinacion turistik shumë i preferuar për gjermanët në periudhën e pushimeve të dimrit.
Pavarësisht se Italia ishte në fillim të krizës së shkaktuar nga Covid ky destinacion u frekuentua shumë edhe këtë vit nga turistët gjerman aq më tepër nga qytetarët e Bavarisë për shkak edhe të afërsisë gjeografike që ka ky Land me Italinë.
Pikërisht ishte Bavaria nga Landet e para që filluan edhe masat e para të ndërmarra kundër Pandemisë së CoVid-19.
Çfarë masash ndërmori Gjermania që në krye të herës…?
Në Gjermani për sa u përket strukturave spitalore hyri në fuqi i ashtuquajturi Plani i Pandemisë.
Sipas këtij plani u anuluan të gjithë ndërhyrjet kryesisht kirurgjikale të planifikuara, pra jo akute duke rritur në këtë mënyrë numrin e shtretërve në Repartet periferike dhe në Repartin Intensiv.
Edhe në Spitalin ku unë punoj u adaptuan një pjesë shumë e madhe e strukturës spitalore në “Spital Covid“.
Përmes këtyre masave u shumëfishua kapaciteti për trajtim, pra numri i shtretërve për trajtimin e Pandemisë.
Është e përmendur tashmë që Gjermania për sa i përket shtretërve ka një kapacitet shumë herë më të lartë se vendet e tjera të zhvilluara të BE.
Pasi u rrit kapaciteti për të pritur valën e pacientëve, filloi dhe testimi në masë e pacientëve që paraqiteshin në urgjencë me simptoma dyshuese për Covid.
Pra testimi masiv filloi pasi u ndërmorën masat e mësipërme. Duke shmangur kështu një katastrofë të ngjashme me Italinë, pra një dyndje masive të pacientëve drejt spitaleve duke shmangur rrezikun e mbipopullimit të spitaleve.
Gjermania duket një vend që po e përballon me sukses këtë virus, si është mendimi juaj?
Aktualisht Gjermania është nga të paktat vende që po e përballon me sukses krizën e Covid-19.
Një faktor i rëndësishëm është edhe testimi masiv i popullsisë, aktualisht rreth 500 mijë testime në javë, por duhet të insistoj që testimi bëhet pasi u rrit masivisht kapaciteti për të pritur pacientë. Ndryshe nga Italia që bëri si fillim testime masive por që shkaktoi vetëm kaos dhe mbingarkim të sistemit spitalor.
Një faktor tjetër i rëndësishëm në suksesin e menaxhimit të krizës është sensibilizimi masiv i qytetarëve gjermanë, pra zbatimi rigoroz i rregullave të distancimit social.
Gjithashtu, raportohet një numër i ulët vdekjesh në krahasim me numrin e të infektuarve, pse?
Arsyet e përmendura më sipër kryesisht kapaciteti i lartë në shtretër spitalor kryesisht në repartin intensiv ka ndikuar në uljen e vdekshmërisë nga pandemia. Në qytetin ku unë jetoj nga pjesa më e madhe e qytetarëve zbatohen rregullat e distancimit fizik dhe social. Si fillim shkollat dhe më pas baret, restorantet janë të mbyllura prej disa javësh.
Çfarë ndodh në qytetin ku ju jetoni, vazhdon jeta normalisht apo ka masa të rrepta distancimi dhe izolimi?
Qytetarët janë të lirë të lëvizin, pra kryesisht shëtitje në ajër të pastër, por nuk lejohen grupime prej më shumë se 3 veta.
Sa i rrezikshëm është ky virus?
Sipas eksperiencës në Wuhan dhe tashmë në Europë dhe SHBA e jo vetëm virusi shfaqet në disa forma nga ato me asimtomatike deri në Insuficiencë respiratore akute (ARDS) që në shumë raste përfundon në fatalitet.
Doktor, cilët janë grupet që duhet të kenë më shumë kujdes nga kjo sëmundje?
Personat multimorbid janë edhe ata më të rrezikuarit. Por eksperienca tashmë disa mujore ka treguar që edhe grupmoshat e reja kanë qenë të prekura nga ky virus. Për këtë arsye ajo që botërisht këshillohet për momentin është distancimi social, si mënyra më efikase ne për të shmangur infektimin në masë të qytetarëve. Dhe çka më e rëndësishme janë masat higjienike që duhet të ndërmarr çdokush.
Cila është situata më e vështirë me të cilën je përballur këto ditë?
Duke qenë në vijën e parë të Luftës normalisht që jemi përballur me situata të vështira dhe emocionuese. Normalisht të shikosh që në spitalin ku unë punoj stacioni intensiv është i tejmbushur me paciente te intubuar ku mosha e pacienteve varion nga 35 dhe me i vjetri nuk i kalon të 70-at është prekëse.
Keni hasur shqiptarë të prekur në spital?
Aktualisht qytetar të prekur nga Shqipëria fatmirësisht nuk kemi patur.
Doktor, ju vetë, keni frikë?
Si një mjek në vijën e parë që ka kontakt me pacientë të infektuar në Urgjencë ekziston frika e infektimit. Gjithsesi këto janë rreziqe që i përkasin profesionit të mjekut dhe në një mënyrë apo një tjetër duhet t’i menaxhojmë.
Po situatën në Shqipëri e ndiqni, si ju duket?
Situatën Shqipëri e ndjekim rregullisht. I vlerësoj maksimalisht rregullat e Izolimit si e vetmja mënyrë aktuale për t’ia dalë kundër kësaj pandemie.
Sigurisht që do ja dalim. Historia ka treguar që njerëzimi i ka mbijetuar edhe pandemive më të rënda, edhe krizave më të vështira.
Çfarë do na mësoi kjo sëmundje, ky virus?
Llogaritë e statistikat do të bëhen në fund të kësaj pandemie. Sipas mendimit tim personal kjo situatë na rikujtoi që njerëzimi e ka kujtesën e shkurtër. Kjo është një nga pandemitë e shumta në historinë njerëzore, gjithsesi e gjeti të gjithë botën e zhvilluar serish të papërgatitur. Ndoshta kjo na mësoi që globalizmi midis shumë të mirave ka edhe pasojat negative. Në emër të Ekonomisë Globale bëhen investime kolosale në të gjitha fushat, por nuk duhet të harrojmë që shëndetësia është e para.