Investigim i CNN, nga Nick Paton Walsh, Natalie Gallón dhe Diana Castrillon
Trafiku i kokainës nga Venezuela drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke lulëzuar, pavarësisht krizës që po kalon vendi amerikano-jugor. Madje zyrtarë amerikanë dhe të shteteve të tjera fqinje thonë se janë ushtarakët e Venezuelës dhe elita politike e vendit që po e lehtëson këtë rrugëkalim, përmes qindra avionëve të paregjistruar.
Një hetim njëmujor i CNN gjurmon rrugën e kokainës nga fermat kolumbiane. Sipas një zyrtari amerikan, fluturimet nga Venezuela drejt SHBA me ngarkesa me drogë janë shtuar, nga dy në javë në vitin 2017, në thuajse një fluturim në ditë në vitin 2018. Këtë vit, i njëjti zyrtar, thotë se brenda natës janë kapur pesë fluturime.
Avionët e mbushur me kokainë kolumbiane dikur niseshin nga xhunglat e jugut të vendit, ndërsa tani nisen nga zona më e zhvilluar e veriperëndimit, për të shkurtuar kohën e udhëtimit. Përfitimi për qeverinë venezuelase është marramendës. “Trafikantët po shfrytëzojnë në maksimum bashkëpunimin me autoritetet e korruptuara por edhe vakumin e pushtetit”, thotë një zyrtar amerikan.
Çdo fluturim është aq fitimprurës sa që trafikantëve nuk i kushton asgjë që me të mbërritur në destinacion t’i vënë flakën avionëve. Sipas një harte të rrugëve të trafikantëve të parë nga reporterët e CNN, droga niset nga krahina veriperëndimore e Venezuelës, Zulia, pastaj kalon përmes Karaibeve, për të vazhduar në Guatemalë apo Honduras, prej nga përfundon në Meksikë, e më pas në qytetet amerikane.
Një zyrtar amerikan tha se vetëm në vitin 2018, 240 ton kokainë ka kaluar nga Kolumbia për në Venezuelë si transit, madje ka nga ata që thonë se ky vlerësim ishte modest. Madje një raport i Zyrës për Narkotikët dhe Kriminalitetin në OKB thotë se në rrugët amerikane ka mbërritur një sasi kokaine me vlerë 39 miliardë dollar.
Shtetet e Bashkuara akuzojnë prej vitesh zyrtarët e lartë venezuelas si bashkëpunëtorë të trafikantëve. Me krizën që vendi po përballet, paraja e shpejtë është një domosdoshmëri për të përballuar hiperinflacionin që ka rrënuar ekonominë e vendit. Për të konfirmuar akuzat amerikane, zyrtarë kolumbianë, si rrallë herë, kanë pranuar se në trafikun e kokainës janë përfshirë grupe guerile të majta, që bashkëpunojnë me ushtrinë e Maduros.
Në vitin 2017 Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj zëvendëspresidentit të Venezuelës Tareck El Aissami, pasi ishte bashkëpronar i disa dërgesave prej 1000 kilogramësh kokainë të kapura nga DEA. Sot, El Aissami është ministër i Industrisë në Venezuelë, por ndaj tij janë ngritur padi në Nju Jork për lehtësim të trafikut të drogës. Përgjigja e tij, një postim në Twitter: “Gjithmonë besnikë, gjithmonë anti imperialistë, gjithmonë patriotë, gjithmonë çavistë! Do të fitojmë”.
Në maj 2008, sanksione u vendosën edhe ndaj Diosdado Cabello, liderit të Asamblesë Kombëtare Kushtetuese të Venezuelës, ose numrit dy të Maduros, gjithashtu për “përfshirje të drejtpërdrejtë në aktivitetet e trafikimit të lëndëve narkotike”. Shumë zyrtarë të tjerë kanë pasur të njëjtin fat, por qeveria venezuelase i ka refuzuar vazhdimisht
CNN ka mundur të shohë nga afër, në bashkëpunim me forcën ushtarake elitare të Hondurasit, Fusina, disa nga fushat e përdorura si pista për uljen e avionëve nga trafikantët. Thuajse të gjithë janë avionë amerikanë, sipas zyrtarëve, të blerë nëpër ankande nga kompani “guaskë” dhe më pas të dërguara në jug. Disa prej aeroplanëve janë të dëmtuar, për shkak se ushtria e Hondurasit i ka bërë këto pista të papërdorshme duke hapur në tokë kratere të mëdhenj. Disa qëndrojnë të fshehur nën ujërat e lumenjve, por të dukshëm nga ajri.
Sipas autoriteteve në Honduras, trafikantët kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët me fshatarët e zonës. Nëse shohin se mund të kapen, ata hedhin kokainën në lumë të lidhur me një pajisje për pluskim në ujë. Pakot peshojnë deri në 30 kilogramë dhe çdo peshkatar paguhet 150 000 dollarë nëse arrin ta kapë dhe t’ia rikthejë karteleve.
Edhe pse me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, trafikimi përmes ajrit i kokainës nga Kolumbia është thuajse zëruar, trafikantët kanë arritur të gjejnë një alternativë të lehtë në anën tjetër të kufirit. “Vija kufitare është shumë e gjatë dhe kjo e bën punën tonë të vështirë”, thotë një zyrtar kolumbian për CNN. “Trafikantët përfitojnë dhe futen në zona ku ne nuk kemi kontroll”.
Me njohjen e Juan Guaidos nga ana e qeverisë kolumbiane si lider të Venezuelës, tensionet janë rritur së tepërmi dhe bashkëpunimi është edhe më i pakët. Por laboratorët e kokainës janë aty dhe droga vazhdon të “lidhë” pazgjidhshmërisht të dy vendet.
Helikopterët kolumbianë nuk lejohen të fluturojnë deri në 5 milje nga kufiri venezuelas dhe qëndrojnë deri në 700 metra lartësi për të shmangur goditjen me mitraloza nga trafikantët. Nga një helikopter me të cilin udhëtoi edhe CNN, ushtarët hodhën fletushka për të inkurajuar fshatarët që t’i kthenin shpinën tregtisë së drogës.
Pasi futet në territorin venezuelas, droga kalon pa problem pikat e kontrollit të ushtrisë, madje shoqërohet prej saj. Këtë e konfirmojë zyrtarë rajonalë amerikanë, të cilët kanë marrë informacion nga dezertorë nga radhët e ushtrisë venezuelase.