Holanda ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri për të pestin vit radhazi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, investimet holandeze arritën vlerën e 300 milionë eurove, ose 20% të fluksit total të investimeve të huaja.
Investimet e kompanive me aksionerë holandezë u rritën me 37% krahasuar me një vit më parë dhe Holanda ka ecurinë më të qëndrueshme mes investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare vitet e fundit. Stoku i investimeve holandeze ka arritur në rreth 2.24 miliardë euro, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.
Kryesimi i investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.
Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë, por edhe sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani.
Italia ishte investitori i dytë më i madh për vitin e kaluar, me një fluks total prej 203 milionë eurosh. Investimet italiane u rritën me 49% krahasuar me një vit më parë. Investimet italiane janë të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.
Italia është gjithashtu një vend prej të cilit besohet se vijnë një pjesë e konsiderueshme e investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme. Stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.48 miliardë euro, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë.
Investitori i tretë më i madh për vitin 2023 vit ishte Turqia, me një vlerë të përgjithshme prej 179 milionë euro, në rritje me 208% krahasuar me një vit më parë.
Investimet turke i janë kthyer një rritjeje të fortë, pas rënies së vitit 2022. Biznesi turk vazhdon të ketë një prani të rëndësishme në ekonominë shqiptare, sidomos në sektorin e shërbimeve financiare, energjetikës dhe të industrisë minerale, etj. Stoku i investimeve turke ka arritur në 1.03 miliardë euro, në rritje me 21% krahasuar me një vit më parë.
Investitori i katërt më i madh i huaj për vitin e kaluar ishte Austria, me një total investimesh prej 119 milionë eurosh, në rritje të lehtë me 45% krahasuar me një vit më parë. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik, në shërbimet e hotelerisë, në sektorin e ndërtimit, etj.
Stoku i investimeve austriake arriti në 799 milionë euro, në rritje me 18% krahasuar me një vit më parë.
Investitori i pestë më i madh i huaj në Shqipëri për vitin 2023 u rendit Kosova, me 73 milionë euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë. Investimet kosovare në vitet e fundit po ndjekin një tendencë në rritje.
Kompani të rëndësishme kosovare janë pranishme kryesisht në sektorin e tregtisë. Stoku i investimeve kosovare ka arritur në 307 milionë euro, në rritje me 45% gjatë vitit të kaluar.
Të tjera shtete që kanë vlera të rëndësishme investimesh në Shqipëri janë të mbuluara nga detyrimet konfidencialitetit në ligjin për statistikat zyrtare. Ky detyrim lidhet me rastet kur të dhënat i takojnë një ndërmarrjeje të vetme, për të mos lejuar identifikimin e saj.
Investitorë të rëndësishëm për të cilët të dhënat mbulohen nga detyrimet e konfidencialitetit janë kryesisht Kanadaja dhe Hungaria. Në Kanada është e regjistruar kompania që kontrollon Bankers Petroleum Albania, një nga investitorët më të rëndësishëm të huaj në dy dekadat e fundit.
Të dhënat mbi investimet kanadeze janë të disponueshme vetëm për stokun e tyre, që sipas Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2023 arriti në 1.38 miliardë euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.
Shembull tjetër është Hungaria. Me blerjet e realizuara nga kompania 4iG vitin e kaluar në sektorin e telekomunikacioneve, Hungaria është bërë një investitor i rëndësishëm në Shqipëri.
Stoku i investimeve hungareze në fund të vitit 2023 arriti në 333 milionë euro, 19% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa stoku i investimeve bullgare (në pjesën më të madhe të kontrolluara tërthorazi po nga 4iG) në fund të vitit të kaluar arriti në 814 milionë euro, 11% më shumë krahasuar me një vit më parë./Monitor