Rikonstruksioni i impiantit 110 kV të nënstacionit të Librazhdit është investimi i radhës i cili po bëhet realitet në sajë të bashkëpunimit mes dy operatorëve, Sistemit të Transmetimit dhe atij të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ky investim prej afro 1 milionë euro, përfshin demontimin dhe rikonstruksionin e dy trakteve dalës të linjave Librazhd – Fibër dhe Librazhd – Përrenjas me pajisje totalisht të reja, ndërsa është bërë i mundur edhe përmirësimi i skemës elektrike, e cila do të mundësojë një operim më të shpejtë dhe më të sigurt të këtij nënstacioni nga ana e personelit operativ.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar punimet që po kryhen në këtë nënstacion dhe që tashmë kanë përfunduar në masën mbi 50 përqind.
Drejtori i rrjetit të Transmetimit OST, Bledian Dalipi sqaroi se janë afro 11 mijë abonentë, të cilët përfitojnë nga ky investim dhe që pritet të përfundojë plotësisht në muajin prill të vitit të ardhshëm.
“Është një investim, që do të ndikojë në zonën përreth, që furnizohen nga nënstacioni i Librazhdit. Janë afro 11 mijë abonentë, që furnizohen nga ky nënstacion. Rehabilitimi ka filluar në prill të këtij viti dhe parashikohet të përfundojë në prill të vitit 2020. Është duke u implementuar një teknologji e re e pajisjeve primare, siç janë çelësat kompas, e cila bën të mundur komandimin qendror të gjithë nënstacionit si dhe ndërhyrjen në kohë të shpejtë për riparimin e avarive”, tha Dalipi.
Ministrja Belinda Balluku e vuri theksin tek rëndësia e investimeve të integruara duke nënvizuar se edhe në këtë rast bashkëpunimi mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Shpërndarjes bën të mundur rritjen e efikasitetit duke sjell rezultate akoma dhe më të mira me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët.
“Çfarë është për t’u shënuar, është se ka një bashkëpunim shumë të rëndësishëm midis dy operatorëve, atij të Transmetimit dhe atij të Shpërndarjes, në disa nga nënstacionet, për të krijuar kështu jo vetëm një rrjet transmetimi me siguri të lartë energjetike, por nga ana tjetër për t’i dhënë shërbim shumë më cilësor qytetarëve. Gjithmonë investimet e integruara rrisin efikasitetin e tyre dhe arrijnë që të sjellin rezultate akoma më të mira”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se këto investime, krahas përmirësimit të situatës në sektorin energjetik parashikojnë gjithashtu edhe një sërë investimesh të tjera në infrastrukturën e zonës përreth nënstacionit siç është ndërtimi i rrugëve lidhëse.
“Në të gjitha zonat ku OST-ja dhe OSHEE-ja ndërhyjnë, përveç anës energjetike, nënstacioneve dhe gjithë teknologjisë moderne që ne fusim, nga ana tjetër diçka që ne arrijmë është që të ndihmojmë dhe zonën duke bërë rrugët lidhëse, duke sistemuar të gjithë problematikën e infrastrukturës që zonat kanë. Kështu që përveç shërbimit energjetik më të mirë dhe më cilësor që do marrin, banorët e zonave ku ne investojmë ndjejnë edhe ndryshimin infrastrukturor”, nënvizoi ministrja Belinda Balluku.
Investimi në nënstacionin 110 kV të Librazhdit përfshin edhe zgjerimin e objektit ekzistues për sallën e re të baterive dhe sallën e paneleve ndërsa do të bëhet edhe rrethimi i nënstacionit, drenazhimi i sheshit si dhe ndërtimi i rrugëve të brendshme.