Aktualitet “Investimi”: Sekuestrohen 1.5 mln euro llogari bankare të një ish-zyrtari të administratës

“Investimi”: Sekuestrohen 1.5 mln euro llogari bankare të një ish-zyrtari të administratës

Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion për goditjen e krimit ekonomik e financiar, ndersa ka sekuestruar 1,5 milionë euro llogari banke, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme.

Deklarata e policisë:

Finalizohet operacioni “Investimi”

Sekuestrohen 1,5 milionë euro llogari banke, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme

Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të paluajtshme dhe të shumave financiare, që dyshohet se janë përfituar nga burime të paligjshme, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Investimi”, për sekuestrimin e 1 500 000 euro llogari bankare, të një shtetasi, ish – punonjës i administratës shtetërore i cili në vitet 2006 – 2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.

Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, shtetasi i lartpërmendur ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.

Për arsye se hetimet janë në vijim, nuk mund të jepen të dhëna të tjera.