Inxhinieri i drejtohet Ramës: Përgatitu për një dëm 500 mln…koha e zgjidhjes së problemit do jetë e gjatë
Inxhinieri Arben Meçe, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit i tha kryeministrit Rama se duhet të përgatitet për një dëm të madh.
Sipas Meçes, duhet një organizim për të mos humbur asnjë sekondë kohë. “Unë kam ardhur për punë” tha inxhinieri, ndersa deklaroi se transparenca e fondeve nuk duhet të diskutohet.
Arben Meçe: Zoti kryeministër përgatituni për një dëm mbi 500 mln. Edhe 10 mln, edhe 20 mln, 100 mln është hiç përpara dëmit që do të përballojë Shqipëria. Çka do të thotë mobilizimi i kësaj sasie kërkon organizim dhe vëmendja jonë kryesore është të organizohemi që në mënyrë kapilare të zbresin deri tek qytetari. Mund të diskutojmë legjislacion tani, nuk është koha për legjislacion. Po ka defekte. Mund të diskutojmë kushtet teknike. Po jua them unë defektet, jua them edhe ku janë defektet.
Jemi në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, kjo do të thotë mobilizim, nuk ka vullnetare tani. Unë i jam përgjigjur mobilizimit që më mbështeti. Sot nuk ka diskutim për transparencë investimesh, ajo është e padiskutueshme. Nuk duhet ta diskutojmë kurrë. Ajo duhet të jetë e centralizuar dhe të gjithë kemi një gjeneral. Nuk e di kush është, sot kemi ardhur me një letër. Unë duhet të isha në punë. Unë dua detyrën zoti gjeneral, me jep detyrën sepse për atë kam ardhur. Nuk kam ardhur për të treguar sa i ndershëm jam. Sot duhet të nisim punën. Nuk duhet të humbasim asnjë sekondë. Me jep detyrën sepse për atë kam ardhur.
Koha e zgjidhjes së problemit do të jetë e gjatë. Durrësi është një katastrofë sa i përket dëmit që ka. Unë e kam theksuar, të dallojmë dëmin nga shkatërrimi. Sistemi ynë ndërtimor përballoi me sukses një nga goditjet më serioze që ka marrë Shqipëria deri më sot, por duhet të jemi të vërtetë që aty ka defekt të themi po, ka defekt dhe duhet të jemi prezent me grupet tona të ekspertizës.