Si akt hakmarrës kundër vrasjes së gjeneralit me influencë të Iranit, Khasem Soleimani në Irak nga drone amerikane, Irani ka vënë në shënjestër trupat amerikane në Irak. Me raketa janë sulmuar dy nga bazat amerikane që përdorin amerikanët në Irak. Pas sulmit ka reaguar presidenti Trump, i cili shkruan në Twitter se “çdo gjë është në rregull”. Edhe një përfaqësues i qeverisë amerikane në një reagim të parë ka thënë, se sulmet nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha.
CNN ka raportuar, se ushtarët amerikanë të stacionuar në Irak kanë qenë të informuar për sulmet. Falë një sistemi të hershëm alarmi, ushtarët kishin kohë të largoheshin nga zona e rrezikut e të futeshin në bunkerë mbrojtës. SHBA kanë kërcënuar më parë se do të kundërpërgjigjen me sulme masive, nëse Irani sulmon.
Kurse mediat iraniane bëjnë fjalë për 80 “terroristë të vrarë” amerikanë dhe se janë hedhur në Irak 16 raketa. Sipas mediave iraniane, baza Ail al-Asad në Irak është shkatërruar plotësisht. Krahas bazës Ain al-Asad, sipas të dhënave të Pentagonit, është vënë në fokus të sulmeve iraniane edhe një bazë në zonën kurde të Irakut, në Erbil.