Këshilli Rajonal i Venecias, i vendosur në Kanalin e Madh, u fundos për herë të parë në historinë e tij të martën në mbrëmje – menjëherë pasi ajo refuzoi masat e ndryshimit të klimës.
“Dhe Dhoma e Këshillit në Pallatin Ferro Fini filloi të lundrojë rreth orës 10:00 me kohën lokale, me këshilltarët që diskutonin buxhetin rajonal për vitin 2020” – tha këshilltari demokrat Andrea Zanoni në një postim të gjatë në Facebook.
“Është ironike që dhoma u përmbyt dy minuta pasi LEGA, Fratelli dhe Forza Italia refuzuan propozimet tona për ndryshimin e klimës”, tha Zanoni, i cili është nënkryetar i komitetit të mjedisit, në një postim shoqëruar me fotot e dhomës nën ujë, raporton CNN.
Qeveria italiane ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në Venecia.
Kabineti i kryeministrit italian Giuseppe Conte mbrëmë zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme për motin që po prekte kryesisht banorët e Venecias.
Niveli i ujit në Venecia u rrit me 187 centimetra, duke lënë sheshe, bazilika dhe ndërtesa nën ujë, me pjesën më të madhe të qytetit pa energji elektrike. Ky ka qenë niveli më i lartë i ujit që nga viti 1996.
Kryeministri Conte bëri një vizitë në Venecia dhe, duke parë nga afër pasojat e rënda, njoftoi se qeveria do të lëvronte 20 milion euro për nevoja emergjente të venecianëve.
Matjet e fundit tregojnë se niveli i ujit në Venecia është në rënie, por alarmi i kuq i motit është akoma në fuqi.