Ish-agjenti i KGB-së, Jack Barsky, tha se Vladimir Putin ka injoruar informacionet që i janë servirur nga shërbimet informative për reagimin e ukrainasve, duke i bërë llogaritë gabim për të ashtuquajturin “operacion special”.
“Ai mund të ketë injoruar plotësisht informacionet që i vinin nga shërbimet inteligjente, ndërsa tani po ia vë fajin atyre për atë që po ndodh… nuk e besoj që ata nuk e dinin sesi do të reagonte populli i Ukrainës. Me shumë mundësi ai injoroi informacionet e tyre, sepse kujtonte se dinte më shumë se ata”, tha Barsky në një intervistë për CNN
Ai komentoi edhe fotot e presidentit rus në tavolinën e tij gjigante, ku personat e tjerë qëndrojnë disa metra larg. “Një diktator si Vladimir Putin, ose Adolf Hitler – nuk po them që janë njëlloj – por kushdo që është tërësisht në kontroll të një vendi, duhet të besojë totalisht te vetja. Ka pasur edhe fotografi të tjera të sikletshme të Putinit si president, si për shembull gjysmëlakuriq mbi kalë ose kur luan hokej në akull kundër skuadrës kombëtare… Gjithçka tregon se ai nuk ka një zë të brendshëm në kokë që ta kontrollojë herë pas here, kështu që ai beson te vetja. E nëse mendon se je gjithmonë njeriu më i zgjuar, je i destinuar të dështosh”.
Jack Barsky (emri i vërtetë Albrecht Dittrich), është shkrimtar gjermano-amerikan, specialist IT dhe ish-agjent i fshehtë i KGB-së, i cili spiunonte Shtetet e Bashkuara nga viti 1978-1988. I ekspozuar si agjent pas Luftës së Ftohtë, ai punoi për agjencitë amerikane të inteligjencës dhe u lejua të vijonte jetën në SHBA.