Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka komentuar punimet e Asamblesë së Partisë Socialiste dhe fjalimin e kryeministrit Edi Rama. Saphia thekson se Rama është problemi në Shqipëri dhe zgjidhja është largimi i tij.
Sipas Bardhit, 85% e zgjedhësve kanë dëshmuar se nuk e duan modelin e Ramës, të cilin demokrati e konsideron të korruptuar, dhe për këtë arsye kryeministri po spastron Partinë Socialiste duke ngritur në pozita njerëzit e besuar.
“Kryeministri ilegjitim po përpiqet të “blejë” normalitet në një situatë anormale që ka prodhuar vetë. Shqiptarët e bojkotuan masivisht në votimet moniste e antikushtetuese të 30 qershorit. 85% e zgjedhësve, i dëshmuan se nuk e duan më modelin e tij të korrupsionit, blerjes së zgjedhjeve e dhënien me koncesion të pasurive të këtij vendi duke i lënë borxhe me dekada. Këtë mesazh Edi Rama e ka lexuar e prandaj relativizon fajet e tij të rënda duke i quajtur gabime! Më 30 qershor shqiptarët kanë folur e prandaj Rama po spastron edhe PS, duke ngritur në pozita të besuarit e tij. Por ky është problem i PS nëse do pranojë t’i japë oksigjen njeriut që e tjetërsoj për keq si parti, ndërsa vendi ka nevojë për ndryshim dhe urgjent madje! Problemi i shqiptarëve është Edi Rama dhe ai nuk mund të jetë në asnjë rast zgjidhja”, shkruan Bardhi.