Ai ishte kryeministri i parë i Vladimir Putin, por Mikhail Kasyanov as në ëndrrat më të këqija nuk e kishte imagjinuar se ish-shefi i tij do të pushtonte Ukrainën.
Pasi u shkarkua nga Putini, Kasyanov iu bashkua opozitës ruse dhe u bë një nga kritikët më të zëshëm të Kremlinit. Ish-kryeministri shprehet se Putin gjatë 20 viteve të fundit ka arritur të ndërtojë një sistem të bazuar mbi frikën.
“Duhet të ndodhë një de-putinizim Ii Rusisë. Do të duhen dhjetë vjet për ta realizuar, për të rivendosur dhe forcuar besimin me botën e qytetëruar, në radhë të parë me vendet e Bashkimit Evropian, të cilët janë partnerët dhe fqinjët tanë natyror”, shprehet Mikhail Kasyanov.
Gjatë një interviste për AFP, ish-kryeministri nga vitet 2000-2004 parashikon se lufta do të zgjasë më shumë se dy vite dhe është i bindur se Rusia do të kthehet në rrugën e demokracisë. Kasyanov tha se ai ishte larguar nga Rusia për shkak të luftës dhe jetonte në Evropë, por ai nuk pranoi të zbulonte vendndodhjen e tij.
“Unë mendoj se nëse Ukraina bie, shtetet baltike do të jenë të radhës (…) Këto janë arritjet e një sistemi që, me inkurajimin e Putinit si kreu i shtetit, ka filluar të funksionojë edhe në një mënyrë më cinike, më mizore se në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik. Në thelb, ky është një sistem i KGB-së i bazuar në paligjshmëri dhe mungesë të plotë përgjegjësie. Është e qartë se ata nuk presin asnjë ndëshkim”, thotë Kasyanov.
Kasyanov beson se Putini përfundimisht do të zëvendësohet nga një “pasardhës” i kontrolluar nga shërbimet e sigurisë. Por një pasardhës sipas tij, nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë sistemin për një kohë të gjatë dhe përfundimisht Rusia do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kritikët kanë akuzuar në të kaluarën opozitën ruse se është e përçarë dhe e pashpresë, por Kasyanov tha se ishte i bindur se gjërat tani do të ishin ndryshe. Rusët do të përballen me një detyrë të madhe për të rindërtuar vendin e tyre, shtoi ish-kryeministri.