Aktualitet Atentati ndaj Aleksandër Sadikajt, dyshime se vrasësit e ndoqën dhe pritën që...

Atentati ndaj Aleksandër Sadikajt, dyshime se vrasësit e ndoqën dhe pritën që të ishte i vetëm

Policia ka mësuar itinerarin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj ditën që ndodhi shpërthimi në makinën e tij. Mësohet se ai, prej mëngjesit të së shtunës, kishte qëndruar me një mikun e tij, të cilin hetuesit e morën në pyetje.

Mësohet se miku i Sadikajt nuk ka dhënë detaje të rëndësishme për hetimin, por ka thënë se automjeti nuk ka qenë gjithmonë në përdorim të 27-vjeçarit.

Nga ana tjetër, ai u tha hetuesve se ka qenë me Sadikajn deri kur ai u largua për në shtëpi, në zonën e Saukut të Vjetër. Diçka e tillë korrespondon edhe me pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë, të sekuestruara nga Policia. Aty duket makina tip Golf i bardhë, që del nga banesa dhe drejtohet për në segmentin ku ndodhi shpërthimi.

Hetuesit dyshojnë se eksplozivi i vendosur në mjetin e Sadikajt ka qenë i montuar në gomën e përparme të mjetit, disa ditë më parë, dhe jo ditën e ngjarjes. Nga ana tjetër, Policia ka dyshime të forta se atentatorët kanë qenë në ndjekje të 27-vjeçarit, ndërsa kanë vepruar përmes telekomandimit dhe jo celularit.

Aleksandër Sadikaj nuk ishte një emër i panjohur për Policinë. Ai ishte arrestuar për vjedhje, kundërshtim të punonjësve të Policisë dhe plagosje, por së fundmi hetuesit kishin informacione se merrej edhe me trafikun e lëndëve narkotike, brenda dhe jashtë vendit./A2