Një shqiptar, dikur i kurorëzuar si Njeriu më i Fortë në Britani, me shumë mundësi do të dënohet me burg pasi ka trafikuar 17 bashkëkombës drejt Mbretërisë së Bashkuar me një katamaran.
44-vjeçari Jimmy Marku, me nënshtetësi britanike, ka fituar garën e forcës në vitin 2008, por vetëm nëntë muaj më vonë përfundoi pas hekurave pasi ishte i përfshirë në trafikimin e një sasie kanabisi me vlerë 65 mijë paund, shkruajnë mediat britanike.
Ai pranoi se ka bashkëpunuar për të lehtësuar emigracionin e paligjshëm të personave që u gjetën nën kuvertën e varkës së tij të quajtur Fortunella, në maj të vitit 2016. Në Gjykatën angleze u tha se Marku ka lindur në ish-Jugosllavi, me gjasë në Kosovë, ndërsa në profilin e tij në Wikipedia thuhet se ka lindur në Laç.
Roja bregdetare pikasi varkën duke lundruar në kanalin e La Manshit dhe brenda saj u raportua në atë kohë se ishin 17 shqiptarë “në gjendje të rënduar”. Edhe kapiteni i katamaranit, australiani Stephen Jackson, pranoi rolin e tij në këtë operacion trafikimi. Varka u lejua të vazhdonte udhëtimin, edhe pse asnjëri prej pasagjerëve të dyshuar si emigrantë të paligjshëm nuk kishte viza, por u lajmëruan autoritetet në port, të cilat bënë edhe zbulimin. Të 17 emigrantët janë deportuar për në Shqipëri.
Më shumë fat patën vëllai i Jimmy-t, Jetmiri, 36 vjeç dhe një tjetër shqiptar, Alex Sefolli, 39 vjeç, të cilët u shfajësuan nga akuzat gjatë një gjyqi të gjatë. Megjithatë, Sefolli u dënua pasi kishte marrë në punë emigrantë të paligjshëm në kompaninë e tij të ndërtimit në Northempton në vitin 2017.
Më 27 shtator është planifikuar edhe seanca e radhës, ku Marku dhe Sefolli do të mësojnë kohën që do të duhet të kalojnë pas hekurave.