Shqipëria është në zi kombëtare ditën e sotme, në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë më 28 maj si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Në ambientet e Presidencës po kryhet ceremonia e homazheve. Në të kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë, politikanë, të afërm e miq të Nishanit.
Ngushëllimet për familjarët i kanë shprehur edhe ish-Presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani e Bamir Topi. Edhe ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka kryer homazhe në nder të ish-Presidentit Nishani.
“President Nishanin e kam njohur rreth 22 vite më parë, një bashkëpunim politik. Fati e solli që vit pas viti të ishim së bashku dhe në angazhime shtetërore. Ai la mbrapa një vepër shumë komplekse, sepse ka qenë jo vetëm aktivist politik, por ka qenë edhe me detyra shumë të rëndësishme. I lehtë i qoftë dheu, u preftë në paqe”, tha Topi.
“Dua të them se është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për shtetin shqiptar, të një personaliteti që ka bërë epokën e vet. E ka sjellë koha në rrethana specifike dhe ka bërë punën më të mirë të mundshme në cilësinë që ka pasur si president i vendit duke pasur gjithashtu një përgatitje të jashtëzakonshme në fazat e mëhershme në ushtrimin e detyrave të veçanta me rëndësi shtetërore dhe si personalitet që ka ditur në mënyrën më të mirë të komunikojë me qytetarë të vendit, të komunikojë me burrështetas të vendeve të ndryshme dhe të prezantojë vendin në mënyrën më të mirë. Ne nuk kemi qenë në të njëjtën kohë presidentë por kemi qenë kohën e bashkëpunimit në çështje të caktuara. E ndjej veten me privilegj që kam njohur një njeri i cili ka qenë vërtetë në një mision fisnik, që e ka ushtruar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe një njeri që ka kapërcyer thjesht në pjesën e komunikimit të tij dallimin në gjenerata, por që ka qenë i aftë të lidhë atë që është më e mira për të ardhmen e vendit dhe të kombinojë veprimet e tij gjatë mandatin që ka pasur. Pra është një humbje që është e dhimbshme. Një humbje e hershme për atë që do të shkojë në amshim, dhe një humbje që do të mbahet mend përpjesën e qetësisë që mori me vete ashtu si ka qenë dhe vetë si njeri”, u shpreh Sejdiu.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë.