Bota Ish-presidenti ukrainas shfaqet me armë në dorë në rrugë: Putin s’do e...

Ish-presidenti ukrainas shfaqet me armë në dorë në rrugë: Putin s’do e marrë kurrë Ukrainën

Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko foli për CNN nga rrugët e Ukrainës, ndërsa ushtria ruse i është afruar kryeqytetit të vendit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me CNN ai shfaqet me një armë automatike bashkë me disa ushtarë ukrainas në sfond.

Gjatë deklaratës ai pohon se nuk kanë mjaftueshëm armë pasi u mungojnë tanket dhe mjetet e blinduara.

“Ne kemi dy mitraloz, nuk kemi artileri të rëndë, nuk kemi tanke, nuk kemi autoblinda. Ka shumë njerëz në radhë që po kërkojnë të regjistrohen si vullnetarë për të luftuar, njerëz që nuk kanë qenë kurrë në ushtri mbase por që duan të luftojnë por nuk kemi armë të mjaftueshme. Megjithatë numri i madh i qytetarëve që duan të luftojnë tregon  se sa e urrejnë presidentin rus Putin.” – tha Poroshenko.

I pyetur nga gazetari se sa kohë mund të rezistojnë, Poroshenko përgjigjet duke thënë: “Përgjithmonë. Putin nuk do arrijë kurrë ta marrë Ukrainën, pavarësisht se sa tanke, armatime apo raketa ka. Ne jemi njerëz të lirë dhe e kemi të ardhmen në Europë.”