Bota Rusia kërcënon Suedinë dhe Finlandën: Nëse hyni në NATO do ta pësoni...

Rusia kërcënon Suedinë dhe Finlandën: Nëse hyni në NATO do ta pësoni si Ukraina

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova

Rusia nuk ndalet. Tashmë në shënjestër të saj janë dy vendet nordike, Suedia dhe Finlanda. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi se futja e Finlandës ose Suedisë në NATO do të sillte një përgjigje të fortë nga ana e Moskës.

Gjatë një konference për mediat, Zakhrova praktikisht kërcënoi dy shtetet nordike se do të vuanin pasojat e Ukrainës nëse do të kërkonin të bëheshin pjesë e Aleancës. “Do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike që do të bënin shtetin tonë të ndërmerrte hapa reciprokë”, citohet Zakharova nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve.

“Vlerësojmë se përkushtimi i qeverisë finlandeze për një politike asnjanëse ushtarake është faktor i rëndësishëm për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Europën veriore”, tha Zakharova.

Edhe pse Finlanda bashkëpunon me NATO-n në disa aspekte, si për shembull merr pjesë në mbledhjen e sotme të aleancës, nuk i është bashkuar zyrtarisht asaj. Muajin e kaluar, kryeministrja Sanna Marin tha se mundësitë që Finlanda të aplikonte për t’u bërë pjesë e NATO-s ishin të pakta, përgjatë mandatit të saj.