Bota Ishin mercenarë në Ukrainë, nazistëve italianë i gjendet raketa ushtarake

Ishin mercenarë në Ukrainë, nazistëve italianë i gjendet raketa ushtarake

Forcat antiterrorizëm italiane nuk i besuan syve kur gjatë një operacioni kundër disa elementëve të lidhur me të djathtën ekstreme në Torino, krahas dhjetëra armëve lufte, karikatorëve dhe simboleve naziste, gjetën një raketë ajër-ajër, në gjendje perfekte dhe operative, në kutinë e saj të çeliktë.

Një armë jo vetëm tejet e rrezikshme, por e rrallë, dhe që përdoret vetëm nga ushtri specifike si ajo e Katarit.

Disa prej të arrestuarve kishin një të kaluar të afërt në rajonin e Donbass në Ukrainë, ende pjesërisht e kontrolluar nga forcat filo-ruse, bashkë me të cilët mercenarët italianë kishin zgjedhur të luftonin.

Forcat e rendit italiane kanë zhvillua vitet e fundit operacione të shumta ndaj këtij fenomeni. Janë qindra mercenarë nga vendet perëndimore që pranojnë të luftojnë jo për vlera monetare, duke parë që “rroga” mesatare mesatarisht nuk tejkalon 400 euro, por më shumë për të shfryrë idealet e tyre ekstreme dhe përgjithësisht kundërshtues ndaj Shteteve të Bashkuara.

Ekzistojnë disa “agjenci” që mundësojnë transferimin e këtyre personave në Ukraine. Vitin e kaluar u arrestuan disa prej këtyre sekserëve, mes të cilëve edhe një shtetas shqiptar, me emrin Olsi Krutani, ekspert informatike dhe të arteve marciale, i cili deklaronte që kishte qenë pjesë e forcave speciale ruse.