Më 16 prill do të mbërrijnë në Itali vaksinat Johnson & Johnson.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Këshillit Rajonal të Sigurisë, Gianmarco Medusei gjatë përurimit të qendrës së vaksinimit në Genova.
“Komisioneri i urgjencës Covid Francesco Paolo Figliuolo më tha se vaksinat Johnson & Johnson do të mbërrijnë në Itali nga 16 Prill”. Është shprehur Gianmarco Medusei, shkruan Ansa.
Ai gjithashtu është shprehur se është e kotë të mohosh se ka ende shumë probleme me vaksinat në mënyrë që të rinisë sërish procesi i vaksinimit.
Vaksina Johnson & Johnson: E vetmja me një dozë
Agjencia Europiane e Barnave (Ema) ka aprovuar vaksinën Janssen (të Johnson & Johnson) kundër Covid-19 nga mosha 18 vjeç e lart. Ema deklaroi se të dhënat e vaksinës ishin solide dhe se plotësonin kriteret e efikasitetit, sigurisë dhe cilësisë. Vaksina e Janssen është e katërta e aprovuar nga BE.
Janssen është deri tani e vetmja vaksinë me një dozë: një detaj i rëndësishëm që mund të shënojë një kthesë për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.
Për më tepër vaksina mund të ruhet në temperatura të thjeshta frigoriferike nga 2 deri 8 gradë celsius në afatin më të gjatë të mundshëm deri më tani, për 3 muaj.
Vaksina u zhvillua nga filiali i kompanisë Janssen në Holandë.
Përparësia e vaksinës Johnson&Johnson
Ndryshe nga vaksinat nga Pfizer / BioNtech, Moderna dhe AstraZeneca të cilat janë licencuar tashmë, nevojitet vetëm një dozë e kësaj vaksine.
Dozat mund të ruhen në një frigorifer standard, ndryshe nga kushtet ultra të ftohta të kërkuara për disa vaksina të tjera.
Një studim global klinik tregoi se vaksina Johnson & Johnson ishte 66% efektive në parandalimin e varianteve të ndryshme të koronavirusit, dhe ishte 85% efektiv në mbrojtjen nga rastet e rënda.
Kompania amerikane do t’i dorëzojë 200 milionë doza Europës brenda vitit, të parat që nga prilli.