Shqipëria del e mposhtur nga miqësorja e luksit në “Air Albania”, teksa sfida me Italinë përfundoi me rezultatin 1-3.
Megjithatë, duhet theksuar se ishte një sfidë të cilën kuqezinjtë e përballuan me dinjitet dhe si rrallëherë luajtën një lojë të mirë. Madje në disa raste iu mungoi edhe fati me Roshin apo Bajramin që u ndalën nga traversa.
Nga ana tjetër, axurrët na ndëshkuan në momentet më të mira duke nxjerrë në pah se jo më kot janë Kampionët e Europës në fuqi.
Sa i takon ndeshjes, minutat e pjesës së parë panë Brojën protagonist teksa sulmuesi kuqezinjve detyroi Bastonin të shkaktonte faull. Pikërisht. Këtë goditje dënimi e shfrytëzuan në maksimum lojtarët shqiptarë teksa në minutën e 16-të me kokë shënoi Ardian Ismajli.
Stadiumi në festë, por që për fat të keq atmosfera elektrizuese zgjati pak pasi miqtë barazuan me anë të Di Lorenzos në minutën e 20-të. Në të 25-tën, katër herë Kampionët e Botës kaluan në avantazh me anë të Grifos që mposhti Berishën. Fundi i pjesës së parë, solli një dëmtim të rëndë për Tonalin e Milanit që u përplas keq në fushë dhe u largua me barelë, ndërsa në limite, Zaniolo u ndal nga shtylla.
Në pjesën e dytë, sërish Broja protagonist që kalon disa nga lojtarët italianë, por në fund ndalet nga Verrati. Në të 48-tën, Kumbulla i afrohet golit por goditja me kokë e mbrojtësit ndalet nga portieri Meret. Janë minuta të nxehta në Air Albania teksa Uzuni ndalet nga tranversa, ashtu si edhe Grifo nga krahu tjetër. Ndërkaq, në të 60-tën, Bare përplaset me Verratin me mesfushorin kuqezi që i tregon “muskujt” lojtarit të PSG.
Dy minuta më pas, Bajrami ndalet nga traversa ndërsa në vijimin e aksionit, Bonuçi shpëton në vijën fatale goditjen e Lenjanit. Ndërkohë, në të 63-tën vërtetohet ligji i pashkruar i futbollit me Grifon që ndëshkon sërish Berishën dhe i dhuron golin e tretë axurrëve. Në vijim, Shqipëria pati mundësi me anë të Roshit dhe Skukës që provoi një goditje spektakolare por që në fund u ndalën nga Meret. Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe në Air Albani, Italia triumfoi përballë Shqipërisë.