Politika Kryemadhi: Operacionet plastike do t’i bëj live. Do të ketë kandidatë të...

Kryemadhi: Operacionet plastike do t’i bëj live. Do të ketë kandidatë të PL në primare

Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë, deklaroi në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se në disa bashki do të marrin pjesë në primaret e organizuara nga Partia Demokratike, edhe elementë të PL-së.

“Në disa bashki, ku ka pasur rakordim midis PD dhe PL, ku ka pasur kandidatë të pëlqyeshëm nga opozita, do të ketë një regjistrim të anëtarëve të PL që mund të marrin pjesë në procesin e primareve. Janë kandidatura me probabilitet të lartë për të fituar, por fokusi i PL janë këshillat bashkiakë, që t’i kthejmë në parlamente të qyteteve”, tha Kryemadhi.

“Primaret do të mbyllin etapën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve, që për mua është shumë e vonë, duhet të ishte bërë me kohë, por për shkak të kushteve e rëndësishme është që bëhet fjalë për një proces që Partia Demokratike e kishte premtuar. Ashtu siç kemi ne të Partisë së Lirisë referendumin. Pas primareve, vjen mendimi i strategjisë së përbashkët të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit”, shtoi Monika Kryemadhi.

Kryemadhi: Operacionet plastike do t’i bëj live

Monika Kryemadhi ka mohuar të ketë kryer operacione plastike. Kryemadhi u pyet në lidhje me paditë në SPAK për këto operacione dhe tha që do t’i bëjë live  kur të vendosë për to. Ajo inkurajoi SPAK-un që të hetojë veprimtarinë financiare të familjes së saj, ndërsa pohoi sulmet politike ndaj saj dhe familjarëve.

“Paditë e mia në SPAK janë për operacionet plastike, që akoma nuk i kam bërë, se kur t’i bëj do t’i bëj live që të rrisim edhe klikimet. Megjithatë unë e inkurajoj SPAK-un që të hetojë çdo veprimtari financiare timen, të Ilir Metës, fëmijët e mi, familjarët e mi dhe udhëtimet e pagesat  e mia. Se vetë familja ime për shkak të pozicionit dhe sulmeve politike kemi qenë të detyruar të përdorim kartat e kreditit dhe llogaritë bankare dhe këtë duhet ta bëjnë të gjithë se duam apo jo teoria e Ramës për t’i bërë të gjithë pis ka funksionuar”.