Roberto Mancini i gëzohet fitores bindëse në një transfertë delikate si ajo me Greqinë, por për trajnerin e Italisë ky grup nuk duhet kurrsesi të kënaqet, prandaj ka rezerva për sa i përket agresivitetit të të tijve në pjesën e dytë.
“Nuk e di nëse kjo që u pa ndaj Greqisë ka qenë Italia më e bukur dhe më bindëse e viteve të fundit, – bëri hyrjen e tij strategu “axurr”. – Por ndeshjen në këtë mënyrë e kishim përgatitur dhe pa dyshim që në pjesën e parë bëmë një paraqitje perfekte, bindëse dhe të lexuar saktë në çdo detaj. Gjithsesi, unë e di se çfarë potenciali kemi në dispozicion dhe për pjesën e dytë, për agresivitetin që mungoi në fushë. Prandaj, dikujt do t’ia tërheq veshët kur të kthehem në dhomat e zhveshjes. Doja golin e katërt dhe dua që gjithmonë të kërkojmë të shënojmë një më shumë sesa mund të kemi realizuar.
Ky grup nuk duhet të vetëkënaqet, përndryshe nuk do të mund të vazhdojmë të përmirësohemi. Patjetër që përmirësimi është i dukshëm, nga ndeshja në ndeshje, por unë dua më shumë, sepse e di që kjo skuadër mund të japë më shumë.
Insinje nga minuta e parë zgjedhja perfekte? “Po, por vetëm për meritë të Lorencos. Gjatë këtyre ditëve në stërvitje ka qenë i elektrizuar dhe e meritonte që ta niste nga minuta e parë. Zhvilloi jo vetëm një lojë fantastike, duke u vënë në shërbim të skuadrës duke ndihmuar dhe kërkuar topin në çdo cep të fushës, por realizoi edhe një gol të bukur dhe të rëndësishëm. Jam i kënaqur, por e ritheksoj, doja edhe golin e katërt ndaj Greqisë”, përfundoi Mancini.