Italia është futur në zonën e rrezikut nga koronavirusi dhe qeveria ka vendosur masa drastike për të parandaluar përhapjen me tej të sëmundjes.
Me anë të një dekreti të bërë publik gjatë natës, u njoftua se në zonat ku ka persona të infektuar nga virusi nuk do të ketë lëvizje të pakontrolluar, si dhe janë mbyllur disa rrugë. Është qartësuar se kush i shkel këto rregulla sigurie rrezikon deri në tre muaj burg.
“Nevoja për të mbrojtur shëndetin publik, është e para në hierarkinë e vlerave kushtetuese”, deklaroi kryeministri Giuseppe Conte.
Sakaq janë mobilizuar forcat e armatosura dhe forcat policore rreth zonave të zonave ku është shfaqur virusi, ku do të vendoset një “rrip i pakapërcyeshëm shëndetësor”. Ndërkohë, të gjitha aktivitetet sportive në Veneto dhe Lombardi janë pezulluar, përfshi edhe ndeshjet e sotme të Inter, Atalanta dhe Verona.
Gjithashtu në masat e marra është edhe pezullimi i shkollave, sipas mediave vendase.
Deri më tani në Itali janë regjistruar rreth 60 raste të infektuarish me koronavirus, ndërsa 2 të moshuar kanë humbur jetën.