Edhe pse Italia raportoi një ditë më parë një ulje të lehtë të numrit të viktimave krahasuara me te shtunën, te infektuarit me koronavirus janë shtuar.
Megjithëse vendi po përballet me një luftë të ashpër, kryeministri italian ka dhënë alarmin se situata ekonomike do të rëndohet javët e ardhshme si pasojë e masave të marra për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
“Qeveria italiane është e vetëdijshme se fuqia sociale dhe ekonomike e vendit është gjithashtu në diskutim. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet tona janë gjithmonë shumë të menduara. Ne vendosëm të ngadalësojmë motorrin e prodhimit në vend por pa e bllokuar plotësisht. Na presin javë të tëra më të ngarkuara. Për këtë ne kemi nevojë për bashkëpunimin e të gjithëve. Ne po përballemi me krizën më të vështirë që nga periudha e pasluftës dhe italianët janë të vetëdijshëm për këtë”, deklaroi Conte.
Humbjet në ekonomi përllogariten t’i kalojë 100 miliardë euro në muaj, pasi 70% i sektorit të prodhimit aktualisht është mbyllur.
Këtë të hënë kryeministri Giuseppe Conte nënshkroi dekretin e ri për masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat do të mbeten në fuqi deri më 3 prill.
Me 5,476 viktima dhe 59,138, Italia është bërë vend i parë në botë për humbjet më të mëdha të jetëve nga Covid 19.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, mes viktimave janë edhe 17 mjekë dhe rreth 5000 persona të personelit mjekësor janë infektuar, shifër kjo 2-fish më e lartë se sa në Kinë.
Në këtë situatë autoritetet e shëndetit kanë vendosur të kryejnë testin e tamponit te gjithë profesionistëve dhe punonjësve të shëndetit. I njëjti test do të kryhet edhe për popullatën në rrugë, në baza vullnetarësh për të zbuluar personat e prekur asimptomatike. Mendohet se numri i testeve që mund të kryen brenda një jave do jetë rreth 13 000.
Spitalet në Veri të Italisë janë të tejmbushur. Në rrjetet sociale qarkullojnë video të cilat tregojnë se si të infektuarit janë shtrirë në dysheme.
Në këto moment kritike të betejës me koronavirusi, mjekë nga disa vende të botës, kryesisht nga Kina, Rusia dhe Kuba, ndodhen në Itali në ndihmë të kolegëve të tyre.
Qeveria italiane madje i ka bërë thirrje kreut të Pentagonit Mark Esper, për ndihma në pajisje mjekësore si maska dhe respiratorë për të luftuar koronavirusin.
Lajmi jepet nga CNN, i cili citon një zyrtar të lartë të mbrojtjes amerikane që dëshiron të ngelet në kushtet e anonimatit.
Sipas rrjetit amerikan të lajmeve Italia ka kërkuar që dhe trupa amerikane që qëndrojnë në vend të ndihmojnë personelin mjekësor apo spitalet fushore.
Së fundmi, Esper ka vënë në dispozicion maska dhe respiratore për spitalet civile në SHBA për t’iu përgjigjur krizës së koronavirusit. Ushtria amerikane, përveç kësaj, ka aktivizuar dhe disa njësi special për të ngritur spitale fushore, për të ulur presionin mbi ato civile.