Me Botërorin 2022 që do të luhet pas një viti, ka nisur të plotësohet kuadri i skuadrave pjesëmarrëse. Deri më tani, në total janë 13 përfaqësuese që kanë siguruar pjesëmarrjen. Nga Katari si vend organizator, për të vijuar me Brazilin dhe Argjentinën, teksa janë përcaktuar edhe 10 ekipet fituese të grupeve kualifikuese në Europë.
Tashmë gara në Kontinentin e Vjetër do të përqendrohet te ndeshjet play off. Aty do të marrin pjesë 10 ekipet e vendeve të dyta, të cilave u shtohen edhe dy skuadrat më të mira nga Nations League. 12 skuadrat do të luajnë për tre biletat e mbetura europiane.
Ato do të ndahen në tre grupe me nga katër ekipe, ku çdo skuadër do të luajë ndeshje gjysmëfinale, për të arritur më pas në finale, aty ku fituesi siguron vendin në Kupën e Botës. Gjashtë nga skuadrat në shortin e 26 nëntorit janë përcaktuar si “koka serie”. Kjo bën që Italia të evitojë në ndeshjen e parë përballjet me Portugalinë, Skocinë, Rusinë, Suedinë dhe Uellsin. Kundërshtari më i frikshëm në gjysmëfinale është Polonia e Lewandowskit, apo ndoshta Maqedonia e Veriut, Turqia, Ukraina, Austria dhe Republika Çeke.
Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen në datat 24 dhe 25 mars 2022, teksa tre finalet, ku priten përballje titanësh dhe rezultate dramatike janë përcaktuar më 28 dhe 29 mars. Të gjitha ndeshjet do të jenë me eliminim direkt, ç’ka do të thotë se për të vendosur fituesin mund të nevojitet koha shtesë ose penalltitë.