Kryesore Italianët në karantinë deri në 3 maj, Conte: Nuk mund të dorëzohemi...

Italianët në karantinë deri në 3 maj, Conte: Nuk mund të dorëzohemi tani

Italia do të vazhdojë të jetë në karantinë të paktën deri në 3 maj. Vendimi është bërë publik nga kryeministri Giuseppe Conte mbrëmjen e kësaj të premteje.

Kreu i qeverisë e konsideroi zgjatjen e masave kufizuese në vend, një vendim të vështirë por mëse të nevojshëm.

“I zgjasim masat kufizuese deri në 3 maj. Është një vendim i vështirë, por i nevojshëm dhe për këtë gjë marrim përsipër të gjitha përgjegjësitë në aspektin politik”, u shpreh Giuseppe Conte.

Kreu i qeverisë së zgjatja e “izolimit”  ishte e domosdoshme pasi nuk mund të hidhen poshtë të gjitha përpjekjet e bëra deri tani nga institucionet dhe qytetarët.

“Nëse i japim fund kufizimeve në këtë moment, rrezikojmë të hedhim në erë gjithë përpjekjet që kemi bërë deri tani dhe po ashtu rrezikojmë  një rritje të re të numrit të viktimave”, u shpreh Conte.

Ai saktësoi gjithsesi edhe vendimin për të hapur libraritë, kancelaritë dhe dyqanet për fëmijë.

Rreth 19 mijë viktima regjistrohen deri më tani në Itali nga Covid 19, vendi me humbjet më të mëdha njerëzore.