Preng Gjini, objektivi i atentatit të ditës së sotme në Tiranë, ka udhëtuar drejt Lushnjes përpara se t’i shpërthenin makinën me eksploziv. Gazetarja Klodiana Lala bëri të ditur në emisionin “Opinion” në Tv Klan të tjera detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi kryeqytetin këtë të martë.
Sipas saj, pas Lushnjes, Gjini është kthyer në Tiranë dhe ka qëndruar fillimisht në parkingun e një spitali privat dhe më pas në parkingun e një universiteti privat.
“Ka udhëtuar në Lushnje, është kthyer dhe ka qëndruar në parkingun e një spitali privat, dhe në parkingun e një universiteti privat në Tiranë”, tha Lala.
Sipas gazetares, atentatorët kanë pasur mundësi që ta shpërthejnë makinën në disa vende, por është zgjedhur pranë zonës së “Pallatit me Shigjeta” që të japë një mesazh edhe për grupin kundërshtar.
“Atentatorët e kanë patur të qartë që do ta shpërthenin në këtë vend, jo vetëm për të vrarë objektivin, por për të çuar mesazhin tek grupi kundërshtar”, tha Lala.
Nga atentati i sotëm mbeti i plagosur rëndë Preng Gjini. Eksplozivi dyshohet të jetë shpërthyer me telekomandë. Preng Gjini është vëllai i Armando Gjinit, i vrarë në një atentat në Rrëshen në Gusht të 2019-s.