Kryesore Iu arrestua babai, jep dorëheqjen zv/ministrja e Arsimit, Lorena Haxhiu

Iu arrestua babai, jep dorëheqjen zv/ministrja e Arsimit, Lorena Haxhiu

Pas arrestimit të babait të saj për falsifikim vizash drejt SHBA, zv/ministrja e Arsimit Lorena Haxhiu ka dhënë dorëheqjen nga ky post.

Haxhiu ka marrë përgjegjësitë e saj morale, duke paraqitur menjëherë dorëheqjen.

Babai i Lorena Haxhiut, Eduard Haxhiu ishte mes 22 personave të arrestuar në operacionin “Crystal Eagle” për falsifikim vizash dhe pasaportash.

Po si ndodhi arrestimi i të atit Eduart Haxhiu? 

Në operacion e koduar “Crystal Eagle”, u arrestuan 15 persona, ndërsa 7 janë në arrest shtëpie. Ata akuzohen për falsifikim të vizave nga Shqipëria drejt SHBA. Mes tyre është edhe Eduart Haxhiu, babai i zv.ministres së Arsimit, Lorena Haxhiu.

Goditja e këtij grupi kriminal erdhi pas një bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe zyrës së hetimit në Ambasadën e SHBA.

Këta persona kanë funksionuar si një grup i strukturuar me detyra të përcaktuara qartë, ku merreshin me falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave më shumë se një herë dhe kanë ndihmuar më shumë se një herë qytetarë që të hyjnë ilegalisht në SHBA, nëpërmjet tre korridoreve, (Shqipëri-Gjermani-R.Domenikane në Meksikë- SHBA; Shqipëri-Bullgari-Francë-Republika Domenikane- SHBA; Shqipëri-Francë-Londër-R.Domenikane-SHBA), por gjithashtu edhe në Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Qytetarët duhet të paguanin nga 5000-10.000 euro në varësi të destinacionit se ku do të shkonin. Pagesa bëhej me 2 këste, pjesa e parë paradhënie dhe pagesa tjetër pasi mbërrinin në destinacion.

Mes të arrestuarve Eduart Haxhiu, 52 vjeç, banues në Tiranë, u dënua me “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme, si i dyshuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” më shumë se njëherë, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja nga vepra penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.