Izet Haxhia fiton betejën e parë me drejtësinë.
Gjykata e Apelit pranoi sot kërkesën për rishqyrtimin e vendimit për dënimin e tij dhe i jep të drejtën të dëgjohet.
Kjo do të thotë se Gjykata e Apelit ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm për Izet Haxhinë dhe dosja do të rishqyrtohet nga një tjetër trup gjykues.
Avokati i tij, Bashkim Nikolla deklaroi se në seancën e radhës do të paraqiten provat e reja për të provuar pafajësinë e tij lidhur me akuzat për vrasjen e Azem Hajdarit dhe do të thërriten dëshmitarë ku i pari në listë do të jetë ish-kryeministri, Sali Berisha.
“Më në fund pas një kohë të gjatë vendoset një e drejtë proceduriale në vendin e duhur. Gjykata në vendimin e sotëm, është në përputhje me konventën, që do të thotë se është e drejta e çdo të gjykuari të jetë në seancë. Ky është një vendim shumë i drejtë. Ky vendim e rikthen çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Hapet e drejta për t’u dëgjuar. Kemi siguruar të drejtën të dëgjohemi. Provat janë materiale, tabulate, dhe dëshmitarë. Me të gjitha këto ne do të provojmë pafajësinë që i është faturuar të përfaqësuarit prej meje. Në krye të listës së dëshmitarëve që do të thirren është Sali Berisha”, u shpreh avokati.
Më herët Gjykata rrëzoi kërkesën e Izet Haxhisë për përjashtimin e gjyqtarëve të caktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
KLGJ caktoi tre gjyqtarët nga apeli i krimeve të rënda, Dhimitër Larën, Nure Drenin dhe Sokol Binajn.
Izet Haxhia, truprojë i ish-kryeministrit Sali Berisha, është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e ish deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari.
Ai u ekstradua në maj të vitit në kaluar në Shqipëri nga Turqia, ku qëndroi për vite të tëra në arrati.