Një mysliman shqiptar, shtëpia e të cilit u shkatërrua gjatë tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë, do të rindërtohet nga një grup që përkujton Holokaustin, si mirënjohje për shpëtimin që babai i tij u bëri hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruan Cnaan Liphshiz i ”Times of Israel”.
“Shtëpia e Muhamet Biçakut, 83 vjeç, u shkatërrua gjatë fatkeqësisë së tërmetit të 26 nëntorit që mori jetët e të paktën 51 personave. Gjatë Holokaustit, babai i Biçakut, Mefaili dhe vëllai i madh Njaziu, kishin strehuar rreth 20 familje hebreje nga forcat pushtuese italiane dhe gjermane në Qarrishtë, një fshat që ndodhet rreth 80 kilometra në lindje të Tiranës.
Organizata me qendër në Poloni, ‘From the Depths’ (”Nga thellësitë”), që përqendrohet në nderimin e shpëtimtarëve të hebrenjve, ka mbledhur 10 000 dollarë për të rindërtuar shtëpinë”, shkruan në një deklaratë themeluesi i grupit, Jonny Daniels, pas vizitës në Shqipëri, si pjesë e një misioni humanitar pas tërmetit.
Ai deklaroi se kostoja totale do të jetë 45 000 dollarë dhe mbledhja e fondeve po vazhdon.
Muhamet Biçaku, i cili ishte 5 vjeç kur babai i tij filloi të strehojë refugjatë hebrenj, tani po jeton në një shtëpi të një prej fëmijëve të tij në Durrës të mbushur plot me njerëz.
Në vitin 2007, në emër të familjes së tij ai mori çmimin ”Kurajë për kujdesin” (çmim që i jepet atyre që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit) nga organizata ”Anti-Defamation League”.
Në vitin 1996, babai dhe vëllai i tij u njohën nga Izraeli si ”Të barabartë midis kombeve”, titulli për johebrenjtë që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.
“Ata i ofruan popullit tonë nevojat njerëzore më kryesore, strehim në periudhat e tyre të vështira duke shpëtuar jetët e tyre”, shkruan Daniels.
“Duhet të jetë e qartë për ne sot që të mblidhemi dhe ta kthejmë këtë nder”, thekson ai.